2012-02-10 15:51:16

Komplot kundër Papës? Atë Lombardi: përçartje


Një gazetë italiane e pikërisht “Il Fatto Quotidiano” ka botuar sot një letër, ku përmendet një atentat i mundshëm kundër Papës Benedikti XVI gjatë 12 muajve të ardhshëm. “Është e qartë se kemi të bëjmë me përçartje, që në asnjë mënyrë nuk duhet të merren seriozisht”, komentoi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi.
“Papa do të vdesë” shkruhet në shënimin, që mban datën 30 dhjetor 2011 dhe është nënshkruar nga kardinali kolumbian Castrillon Hoyos. Në letrën, që kardinali ia ka dorëzuar Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, shkruhet çfarë i kanë thënë atij, persona të identifikuar thjesht si të “mirëinformuar”, të cilët kanë folur me kryeipeshkvin e Palermos, imzot Paolo Romeo, gjatë vizitës së tij në Kinë, në nëntor të vitit të kaluar. Pasardhës i Benediktit XVI, gjithnjë sipas letrës së botuar, prejardhjen e së cilës e vë në dyshim edhe vetë gazeta, do të jetë kardinali Angjelo Skola, aktualisht kryeipeshkëv i Milanos.
Zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi deklaroi: “më duket diçka kaq larg realitetit e kaq pak serioze, sa nuk dua as ta marr në konsideratë. Më duket e pabesueshme e as që dua të komentoj”. Këtë farë sekreti e përgënjeshtroi edhe vetë kryeipeshkvi Romeo, i cili vërtet ka qenë në Kinë, por nuk i ka thënë fjalët, që i atribuohen.








All the contents on this site are copyrighted ©.