2012-02-09 14:31:24

“Jezusi është bashkëkohës i jonë”
Simpozium ndërkombëtar në Romë


Nga dita e sotme 9 shkurt e deri të shtunën më 11 shkurt, në Romë mbahen punimet e Simpoziumit ndërkombëtar, organizuar nga Projekti Kulturor i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Italisë (CEI) mbi analizimin e misterit të Krishtit, njeri e Hyj, mbi lindjen e tij, mbi vdekjen e tij mbi kryq, mbi Ngjalljen dhe praninë e tij në histori.
“Kërkimet historike mbi Jezusin gjatë viteve të fundit kanë pasur një kthesë domethënëse e kështu figura e Jezusi është rivlerësuar më me vëmendje, është thelluar më tej, duke përfshirë edhe ngjalljen, pikën më kontroverse që ka shkaktuar më shumë skepticizëm. Sot shumë studiues thonë se kjo e vërtetë nuk është e pa bazë të fortë historike”. E do të jetë pikërisht kjo, siç ka shpjeguar sot kardinali Camillo Ruini, president i Komitetit për projektin kulturor të Konferencës ipeshkvnore italiane, njëra prej pikave themelore që do të shqyrtohet gjatë simpoziumit ndërkombëtar “Jezusi, bashkëkohës i jonë”. Aspekti tjetër që do të debatohet këtyre tri ditëve, nga besimtarët e jobesimtarët, filozofët e intelektualet e orientimeve të ndryshme, përfaqësues të botës hebraike e të asaj myslimane, ka të bëjë me “aktualitetin e Jezusit, që gjithnjë edhe sot e kësaj dite – pohon kardinali Ruini – vepron dhe është efikas në histori”. E ndër temat e diskutimit e të reflektimit është edhe libri i Papës Benediktit XVI mbi Jezusin e Nazaretit.
Jezusi e të varfrit, Jezusi e gratë, Jezusi e fiction, Jezusi e letërsia janë vetëm disa nga temat mbi të cilat do të përqendrohen punimet e simpoziumit që filloi sot në Romë pranë Auditoriumit ‘Conciliazione”. Hapjen e punimeve e bëri presidenti i Konfrencës ipeshkvnore italiane, kardinali Angelo Bagnasco, kryeipeshkëv i Gjenovës. Për tre ditë me radhë do të konfrontohen personalitete të shumta si: kardinali Angelo Scola, kryeipeshkëv i Milanos, kardinali Gianfranco Ravasi, president i Këshillit Papnor për Kulturën, regjisorja Liliana Cavani, gazetari e historiani Paolo Mieli, Giuliano Ferrara. Krye Rabini i Venecies Elia Enrico Richetti, teologu Klasu Berger, filozofi Jean-Luc Marion sa për të përmendur disa prej relatorëve të shumtë. Punimet do t’i mbyll kardinali Ruini.







All the contents on this site are copyrighted ©.