2012-02-09 12:26:13

Çelësi i fjalëve të Kishës: ç'është "Satana" dhe si mundet ai


Takohemi shpesh me të keqen, shkandullin, që tregon mjerimin njerëzor, nganjëherë edhe brenda vetë Kishës. Në përgjithësi, besimtarët e ndjejnë më të pranishëm Zotin, siç është e natyrshme, por kanë ide të vagëllta për “Djallin” dhe fuqinë e tij, i cili bën ç’është e mundur të krijojë shkandull në gjirin e popullit të Zotit, për ta larguar atë nga feja e nga Kisha. Në popullin shqiptar, ai thirret shpesh me fjalë si “Qoftëlargu”, “I mallkuari”, “Brinoçi”, e me njëmijë mënyra të tjera, për të mos ia përmendur emrin. Pikërisht për të do të flasim në emisionin e sotëm, duke tërhequr vëmendjen ndaj faktit, që Dreqi vazhdon të veprojë në historinë e njerëzve e është gjithnjë aktiv, siç ka theksuar disa herë Papa Benedikti XVI.
Fjala “Satana” ka origjinë hebraike dhe përmendet 36 herë në Besëlidhjen e Re. Është e barazvlershme me fjalën greke “diàbolos”, që përmendet 37 herë. Pra, kemi të bëjmë me një prani të rëndësishme, që nuk mund të eliminohet si ndonjë bestytni popullore. Me gjuhën biblike, disa herë flitet për “shpirtra të këqinj”, duke nënkuptuar “të papastër”, për të treguar të kundërtën e së mirës, të së shenjtes, të pozitives, të zonës së tempullit e të Zotit.
“Satana” do të thotë “kundërshtar, akuzator” e përdoret për të treguar një lloj gjykatësi, i cili, në Librin e Jobit, merr pjesë në gjykatën qiellore dhe ka për detyrë denoncimin e mëkateve të njerëzve (2,1-7). Ndërsa “djall”, nga greqishtja, do të thotë “ai që ndan” e ky term është vetëm negativ: Dreqi është tunduesi, që përpiqet ta largojë Zotin nga njeriu. Ky aspekt mbizotëron në Besëlidhjen e Vjetër, e cila e konsideron Djallin si prani të errët në histori, që mundohet ta rëndojë peshoren e lirisë së njeriut nga e keqja, në kundërshtim me Hirin hyjnor, që e orienton dhe e mbështet njeriun në rrugën e së mirës.
Krishti flet me Djallin drejtpërdrejt, duke iu drejtuar një interlokutori personal, i cili, për shembull, hyn në trupin e njeriut, që dëgjon Fjalën e Zotit në sinagogë, siç e përshkruan Shën Marku Ungjilltar (1,21-28). Jezusi lufton me Djallin e Mallkuar e me të keqen. “Kundërshtari” i Tij bën ç’është e mundur të fitojë, duke korruptuar njerëzit, madje edhe dishepujt e Jezu Krishtit. I mirënjohur është rasti, kur Krishti reagon kundër shën Pjetrit dhe e quan “satana”, sepse “nuk i kishte në mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!” dhe donte t’i largohej Udhës së Kryqit(Mt 16,21-23).
Dreqi – që Libri i Urtisë(2,24) e identifikon me gjarpërin tundues të Zanafillës, duke thënë “prej smirës së Djallit, vdekja hyri në botë” – duket sikur triumfon me vdekjen e Krishtit. Në të vërtetë, Ringjallja e Jezusit, Pashkët, janë shenjë e kthesës së madhe, e ngadhnjimit mbi Djallin. Megjithëse Qoftëlargu e vazhdon veprën e tij përçarëse dhe shkatërruese në botë e ka njerëz, që e ndjekin, në fund të fundit, fati i tij është ai, që Libri i Zbulesës e përshkruan me një simbol të fuqishëm, duke e parë të bjerë përgjithmonë, madje “të plandoset në liqenin e zjarrtë dhe të sulfurtë”(20,10). Edhe Jezusi, duke u dhënë pushtet dishepujve të veprojnë, e shihte Djallin “kah binte porsi rrufeja prej qiellit”(Lk 10,18).
Në Shkrimet e Shenjta pra, gjendet siguria e çdo besimtari se “Hyji, autori i paqes, do ta dërrmojë për së shpejti djallin nën këmbët tuaja”(Rm 16,20). Fjala e fundit në historinë e njerëzimit e të Gjithësisë, nuk i takon Djallit, pasi “dyert e ferrit nuk do të ngadhnjejnë”, por Zotit, siç paqyrohet plot dritë e shkëlqim në skenën përfundimtare të Librit të Zbulesës(kapp. 21-22).







All the contents on this site are copyrighted ©.