2012-02-09 15:08:36

Thirrja e dhimbshme e Patrikut dhe shqetësimi i Selisë së Shenjtë për gjendjen në Siri


Në një intervistë dhënë agjensisë kishtare “Asianews”, Patriku melkit i Antiokisë, i gjithë Lindjes, i Aleksandrisë dhe i Jeruzalemit, Gregori III Laham i bën thirrje Bashkimit Evropian të mos lejojë që Siria të bëhet peng e lojës për influencë ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë. Me dhimbje të thellë, të cilën e ka shprehur edhe në Letrën drejtuar besimtarëve për kohën e Krezhmëve, Patriku i kërkon Evropës të ndërmarrë çdo nismë, që mund të shmangë luftën civile në vend.
Edhe drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi nënvizon se Selia e Shenjtë “e ndjek me shqetësim tragjedinë siriane, karkaterizuar nga dhuna në rritje e nga vështirësia për të gjetur zgjidhjen”. Ashtu si Gregori III Laham në Letrën për Krezhmët, atë Lombardi thekson se Papa lutet për viktimat civile e u kërkon të gjithëve të luten për paqen. Benedikti XVI e pati përmendur Sirinë, që më 9 janar, në fjalimin e mbajtur para Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë.
Por cila është gjendja aktualisht? Për shkak të kundërshtimit të Rusisë e të Kinës, nuk u arrit marrëveshja për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër dhunës së presidentit sirian Bashar al-Asad, duke i hapur kështu rrugën intensifikimit të shtypjes së popullsisë. Gjatë 24 orëve të fundit janë vrarë rreth 120 vetë. Homsi është qyteti më në shënjestër të trupave qeveritare, të cilat vetëm sot, kanë shkaktuar 40 viktima. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun lajmëroi se së shpejti do të fillojë një mision i përbashkët i Kombeve të Bashkuara dhe i Lidhjes Arabe, e cila sot, u kthye me vëzhguesit e saj në Siri. Ndërkaq, presidenti amerikan Obama kërkon dorëheqjen e Bashar al Asadit, duke pohuar se kjo “dhunë e shëmtuar” duhet të marrë fund. Gjermania ka larguar katër diplomatë sirianë. Të dëgjojmë komentin e profesorit italian të historisë së vendeve islamike në Universitetin e Kalabrisë, Alberto Ventura:
Është e qartë se nëse nuk ka ndërhyrje të jashtme, të fortë e vendimtare, shtypja mund të vazhdojë, megjithëse nuk besoj se mund të vazhdojë pa fund. Aktualisht, gjendja është mjaft dramatike, herët a vonë duhet zhbllokuar. Fatkeqësisht, Siria, në ndryshim nga zona të tjera të botës arabe, ku ka pasur revolta kohët e fundit, nuk ka burime të mëdha territoriale, që t’i shtyjnë fuqitë e mëdha të ndërhyjnë. Siria është më tepër një vend, ku po zhvillohet një lojë ndërkombëtare force, protagonistët e së cilës janë Kina dhe Rusia, që nuk duan të heqin dorë nga roli i arbitrit, kundër SHBA-ve dhe Evropës. Kemi edhe praninë e protagonistëve më të vegjël, që kërkojnë të jenë gjithnjë e më shumë të pranishëm, si Irani, por sidomos, Turqia. Në këtë moment, Ankaraja është një aktore e re si nga pikpamja ekonomike, ashtu edhe nga ajo politike, sepse ka hequr dorë nga aleanca e saj e vjetër me Izraelin dhe dëshiron të luajë në zonë, rolin që fatkeqësisht, i është mohuar prej kohe.
Turqia ka propozuar një konferencë ndërkombëtare për Sirinë. Sipas jush, a do të pranohet ky propozim e nëse po, çfarë pasojash mund të ketë?
Do të ishte mirë të pranohej e do të ishte edhe nxitje për politikën aktuale turke, e cila po tregon se parimet islamike – ato, të cilave u referohet partia aktualisht në pushtet – dhe garancitë e lirive demokratike mund të bashkëjetojnë në një shtet, ku respektohet laiciteti.
Pra, nga njëra anë, Turqia sheh drejt Evropës, nga ana tjetër, drejt botës arabe…
Eksperimenti turk, i cili pa dyshim, ka dritëhijet e veta, mund të jetë model i mirë për shumë vende islamike, që përfshihen në revolucionet e sotme. Ajo që po ndodh në Tunizi, në Egjipt e në Libi, jo gjithnjë na lë të qetë. Kur ranë regjimet e këtyre vendeve dhe u bënë zgjedhje të lira, pamë se partitë fitimtare – po mendoj më shumë për partinë e Vëllezërve Myslimanë në Egjipt, se sa për partinë islamike në Tunizi – nuk japin garanci demokratike, por planifikojnë skenarë, që mund të bëhen tepër shqetësues, sidomos për bashkësitë e vogla jo myslimane, të pranishme në këto vende. Bashkëjetesa ka qenë gjithnjë paqësore, sidomos në Egjipt, derisa gjendja ndërkombëtare nuk zgjoi fondamentalizma e radikalizma, që nganjëherë, kanë sjellë ndeshje. Revoltat arabe nuk kishin karakter fetar: të krishterë e myslimanë bashkëpunuan krah për krah për të rrëzuar regjimin e Mubarakut, por menjëherë pas kësaj, nisën problemet. Pakica e krishterë nuk ndihet më e qetë. Impagjinoni ç’mund të ndodhë në Siri, ku konfesionet e krishtera dhe pakicat e ndryshme janë të shumta, prandaj mund të shpërthejë një kaos etnik e fetar i pakontrollueshëm. Në këtë kuptim, ka rëndësi mesazhi, që po jep Turqia.
Presidenti amerikan, Barak Obama i kërkoi homologut të tij sirian të japë dorëheqjen…
Nuk besoj se Asadi mund të frikësohet nga kjo. Siç e kemi parë e siç ka ndodhur edhe me Gedafin, përgjigjja e tij është se ekziston një komplot ndërkombëtar, i organizuar nga fuqitë e mëdha perëndimore për të përmbysur këto regjime. Madje, kërcënon se mund të vijë në fuqi fondamentalizmi islamik… Është skenari, që e kemi parë në Libi e që na ripropozohet edhe këtu. Sigurisht janë personazhe, sisteme pushtetore, që nuk bëjnë hap mbrapa para kërcënimeve, pavarësisht se bëhen nga vende me autoritet, si SHBA-të.







All the contents on this site are copyrighted ©.