Më 8 shkurt kalendari kujton shën Gjyzepina Bakita, afrikane
Shën Gjyzepina Bakita, virgjër afrikane nga Sudani, lindi në rajonin e Darfurit në
vitin 1869. Iu desh të provonte ankthin e rrëmbimit e të skllavërisë. Si u shit disa
herë në tregjet e skllevërve në El Obeid e në Kartum, u blé, më në fund, nga konsulli
italian. Me të shkoi në Venedik, ku u njoh me motrat kanoziane. Gjyzepina iu lut atyre
ta ndihmonin për të njohur atë Zot, të cilin e kishte ndjerë në zemër pa e ditur akoma
se kush ishte. E u tregonte rregulltareve: “Duke parë diellin, hënën e yjet, thosha
me vete: “Kush do të jetë zotëria i këtyre sendeve? E ndjeja një dëshirë të zjarrtë
për ta parë, për ta njohur e për ta nderuar”. Jetoi pesëdhjetë vjet me radhë duke
shërbyer në shtëpinë e simotrave, të cilat e nderonin për ëmbëlsinë e saj të përhershme,
për mirësinë e saj e për dëshirën që të njihte Zotin. U la trashëgim fjalët: “Të jeni
të mira, duani Zotin, lutuni për ata që nuk e njohin! Sikur ta dinin ç’hir i madh
është ta njohësh Zotin!”.Në pleqëri kaloi një sëmundje të rëndë e të dhimbshme. Dha
shpirt më 8 shkurt të vitit 1947 rrethuar nga simotrat dhe nga një turmë e madhe njerëzish,
që u mblodh për t’i dhënë lamtumirën e fundit “Nënës së shenjtë zeshkane” e për t’i
kërkuar ndërmjetësim nga qielli.