2012-02-07 14:13:54

Benedikti XVI në Mesazhin e Krezhmëve: kujdesuni për njëri-tjetrin, pa u mbyllur në vetvete


“Përballë një bote, që kërkon prej të krishterëve, dëshminë e përtërirë të dashurisë e të besnikërisë për Zotin, të gjithë të ndjejnë urgjencën për të hyrë në garë bamirësie, shërbimi e veprash të mira”: kjo është thirrja, që Papa Benedikti XVI u drejton besimtarëve në Mesazhin e Krezhmëve, që u bë i njohur sot, gjatë një konference për shtyp në Vatikan. Tema e mesazhit është marrë nga Letra drejtuar Hebrenjve: “Të kujdesemi për njëri-tjetrin, duke u nxitur për dashuri dhe për vepra të mira” (Heb 10,24).
Krezhmët, nënvizon Ati i Shenjtë, janë kohë të përshtatshme për të reflektuar mbi zemrën e thelbin e jetës së krishterë, që është dashuria e bamirësia. Papa e përfytyron këtë si një rrugë, gurët kilometrikë të së cilës, janë lutja, bashkëndarja, lëmosha, heshtja, agjërimi dhe pritja e gëzimit të Pashkëve. Duke analizuar fjalë për fjalë frazën e marrë nga Letra drejtuar Hebrenjve, Papa shpjegon se ç’do të thotë për një të krishterë të marrë përsipër përgjegjësinë edhe për vëllain e vet, ta dhurojë vetveten për të e të ecë sëbashku me të drejt shenjtërisë, qëllimi i fundit i jetës së besimtarit.
“Urdhëri i madh i dashurisë për të afërmin – shkruan Benedikti XVI – kërkon e nxit vetëdijen e përgjegjësisë për atë, që si mua, është krijesë e bir i Zotit: fakti, që jemi vëllezër në humanitet e në shumë raste, edhe në fe, duhet të na bëjë ta shohim tjetrin si një ‘alter ego’, dashur pafundësisht nga Hyji. Nëse e ruajmë këtë vështrim vëllazërimi - solidariteti, drejtësia, ashtu si edhe mëshira e dhembshuria, do të lindin natyrshëm në zemrat tona”. Kujdesi për tjetrin, vazhdon Papa, do të thotë t’i duash atij, ose asaj, të mirën në të gjitha aspektet: fizike, morale e shpirtërore. Çfarë e pengon këtë? Shpesh pasuria materiale e barku plot, por edhe vënia e interesave vetjake mbi ato të përgjithshme, parlajmëron Ati i Shenjtë, i cili kujton se takimi me tjetrin, ndihma për të, janë raste, që e çojnë shpirtin e personit zemërdhembshur drejt shëlbimit e lumnisë.
Papa u kërkon besimtarëve të rikthehen në praktikën e të krishterëve të parë, atë të këshillimit të mëkatarëve, pasi kjo do të thotë kujdes për shpirtin e tjetrit, për të mos e lënë ta bjerrë atë përgjithmonë. “Nuk duhet heshtur para së keqes – bën thirrje Benedikti XVI. Mendoj për sjelljen e atyre të krishterëve, që, për respekt njerëzor, ose për leverdi, i përshtaten mendësisë mbizotëruese, në vend që t’i paralajmërojnë vëllezërit për mendimet e veprimet, që kundërshtojnë të vërtetën e nuk ndjekin rrugën e drejtë. Por – thekson Jozef Racinger – kritika e krishterë nuk niset kurrë nga fryma e dënimit apo e paditjes: frymëzohet gjithnjë nga dashuria e nga mëshira dhe rrjedh nga shqetësimi i vërtetë për të mirën e vëllezërve”.
Dhurata e reciprocitetit është këshilla tjetër e Papës. “Një shoqëri si ajo aktualja – denoncon Benedikti XVI – mund të bëhet e shurdhër si ndaj vuajtjeve fizike, ashtu edhe ndaj kërkesave shpirtërore e morale të jetës. Nuk duhet të jetë kështu bashkësia e krishterë!” Nuk mund të jetojmë pa të tjerët, pasi jeta jonë është e lidhur me atë të vëllezërve, në të mirë e në të keq. Si mëkati, thekson Papa, ashtu edhe veprat e dashurisë kanë përmasa shoqërore. Vetëm së bashku mund të ecim drejt shenjtërisë. “Fatkeqësisht – nënvizon Ati i Shenjtë – është gjithnjë i pranishëm tundimi për të qenë as i ngrohtë, as i ftohtë, për ta mbytur frymën e Shpirtit Shenjt, për ta refuzuar përdorimin e talenteve, që na janë dhuruar për të mirën tonë e të të tjerëve. Të gjithëve na janë dhuruar pasuri shpirtërore e materiale, të dobishme për plotësimin e planit hyjnor, për të mirën e Kishës e për shëlbimin personal”. Në fund, Papa i fton të krishterët të hyjnë në garë për të treguar impenjimin e tyre në shërbim të të tjerëve dhe u uron të gjithëve një kohë të frytshme Krezhmësh, që t’iua përgatisë sa më mirë shpirtin për të pritur Pashkët e Shenjta, Ringjalljen e Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.