2012-02-06 18:53:34

Mesazh i Papës Benedikti XVI, me firmën e kardinalit Bertone, për Simpoziumin mbi abuzimet seksuale


Në një mesazh të Benediktit XVI, që mban firmën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone, lexuar nga kardinal Levada gjatë fjalës së hyrjes në Simpoziumin “Drejt shërimit dhe përtëritjes”, që po mbahet në Universitetin Papnor Gregorian në Romë, thuhet:
“I dashur atë Dumortier (rektori i Universitetit),
Ati i Shenjtë përshëndet përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit në Simpoziumin “Drejt shërimit dhe përtëritjes”, i cili mbahet nga 6 deri më 9 shkurt 2012, nën kujdesin e Universitetit Papnor Gregorian, dhe siguron lutje për këtë nismë të rëndësishme. Ai i kërkon Zotit që, përmes vendimeve tuaja, shumë ipeshkvij e eprorë rregulltarësh në të gjithë botën të ndihmohen për t’iu përgjigjur tragjedisë së abuzimeve mbi të miturit, ashtu siç do t’i përgjigjej Krishti. Siç ka vërejtur shpesh Ati i Shenjtë, shërimi i viktimave duhet të jetë shqetësimi themelor i bashkësisë së krishterë e duhet të shkojë përkrah risimit të thellë të Kishës në të gjitha nivelet. Zoti ynë na kujton se çdo vepër bamirësie, edhe ndaj më të voglit prej vëllezërve, është bamirësi, që i bëhet Atij (shih Mt 25,40). Prandaj, Ati i Shenjtë mbështet e inkurajon çdo përpjekje për t’iu përgjigjur me dashuri ungjillore sfidës së krijimit të një ambienti kishtar të përshtatshëm për fëmijët dhe të rriturit e prekur, për zhvillimin e tyre njerëzor e shpirtëror. Ai u bën thirrje pjesëmarrësve në Simpozium të vazhdojnë të marrin shembull nga një gamë e gjërë përvoje, për të nxitur në të gjithë Kishën një kulturë të fuqishme për mbrojtjen efikase e përkrahjen e viktimave.
Duke ua besuar punimet e Simpoziumit ndërhyrjes së shën Marisë, Zojës së Kishës, me plot dëshirë u jep Bekimin Apostolik të gjithë pjesëmarrësve, si peng force e paqeje në Hyjin”.

Përshëndetje të përzemërta në Krishtin
Sekretari i Shtetit








All the contents on this site are copyrighted ©.