Me 6 janar kalendari përkujtos shën Pal Mikin dhe shokët e tij martirë.
Pajtor i bashkësisë katolike japoneze, Pal Miki lindi në Kioto të Japonisë rreth vitit
1564. Është japonezi i parë që u pranua në një urdhër rregulltar katolik, pra jezuiti
i parë japonez. I lindur në një familje të kamur e i pagëzuar në moshën 5 vjeçe, Pal
Miki hyri më pas në një kolegj të Shoqërisë së Jezuitëve. 22 vjeç ishte novic. Arriti
rezultate të shkëlqyera në të gjitha lëndët. E mundoi pakëz vetëm latinishtja, shumë
larg nga mënyra e tij e të folurit dhe e të menduarit. Ndërkaq u bë specialist i përshpirtërisë
lindore aq, sa u caktua të predikojë e të dialogojë me budistët. E kreu me sukses
detyrën e ia doli mbanesh t’i kthejë shumë prej tyre në fenë e krishterë, e cila kishte
nisur të depërtonte në Japoni që në vitin 1549, me Shën Françesk Saverin, që kaloi
atje dy vjet, duke ia hapur rrugën misionarëve të tjerë, të mirëpritur nga popullata.
Pal Miki qe katekist jezuit shumë i zellshëm. Punoi me gjithë shpirt për ta përhapur
më tej lajmin e mirë të Ungjillit ndërmjet vëllezërve japonezë. E në sa kryente këtë
veprimtari, në Japoni të krishterët nisën të akuzoheshin se kërcënonin unitetin kombëtar,
të arrestoheshin dhe të martirizoheshin. Pali u arrestua në dhjetor të vitit 1596
në Osaka. Në burg gjeti tre jezuitë e gjashtë françeskanë misionarë si dhe 17 terciarë
japonezë të Shën Françeskut. Më 5 shkurt 1597 i gjithë grupi i etërve misionarë u
dënua me vdekje. Pal Miki i priu drejt kryqave, që qenë ngritur për ta në njërën nga
kodrinat e Nagasakit. Aty edhe i kryqëzuan, si Mësuesin Hyjnor. E në sa jepte shpirt
i kryqëzuar, bëri predikimin e fundit, duke përsëritur fjalët e Krishtit në kryq:
“In manus tuas, Domine, comendo spiritum meum”, në atë latinishte që e pat munduar
aq shumë kur qe i ri. Ishte koha e persekutimit të rreptë që shpërtheu kundër të
krishterëve japonezë nën Perandorin Toitomi Hideioshi. 265 vjet më pas e pikërisht
në vitin 1862, i Kryqëzuari i Nagasakit do të shpallej shenjt nga Papa Piu IX, ndërsa
në vitin 1846, në Veronë të Italisë, një seminarist pesëmbëdhjetë vjeçar, si pati
lexuar tregimin mbi këtë kryqëzim, ndjeu fuqimisht shtytjen për jetë misionare: ishte
Daniel Komboni, apostulli i ardhshëm i Nigricisë, apo Afrikës, së cilës do t’i kushtonte
jetën e vdekjen, tre shekuj pas Shën Pal Mikit.