Liturgjia e Fjalës së Zotit e së dielës së 5-të ‘B’
Dëgjues të nderuar ia përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës,
kësaj here do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të dielës së 5-të
gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë. Leximet biblike të kësaj së diele janë një
meditim mbi problemin e ankthshëm të vuajtjes e të dhembjes. Më saktësisht kërkohet
e pyetet cili është qëndrimi i Zotit ndaj vuajtjes e dhimbjes njerëzore. Zoti asiston
si spektator shurdhmemec, e vështron në mënyrë indiferente britmën e dhimbjes që lartohet
prej thellësisë së shpirtit të njeriut drejt qiellit, apo mos ndoshta e vërteta është
e kundërt: Zoti është i vetmi që mund ta lehtëson dhembjen, ta zbut e shëron vuajtjen
e njeriut dhe të përkujdesët për të? Kjo është pyetja e përhershme dhe kyçe, kjo është
çështja vendimtare mbi të cilën fjala e Zotit e kësaj së diele na nxit të reflektojmë. Leximi
i parë nga Libri i Jobit na përkujton kushtet e situatën tejet të vështirë, vuajtjet
e tmerrshme të ekzistencës njerëzore të çdo vendi e të çdo kohe. Leximi i dytë
nga Letra e Parë e shën Palit drejtuar Korintianëve na tregon për shën Palit që
na paraqitet si shembull i të gjithë të pagëzuarve, të gjithë janë të thirrur në mënyrë
të barabartë ta predikojnë ungjillin. Ungjilli i kësaj së diele nga Marku
na paraqet Jezusin në dritën e zbulimit hyjnor dhe të veprës së tij mesianike. Jezu
Krishti është mjeku i trupit dhe i shpirtit. Por mbi të gjitha Ai është zbulues apo
dëftues që mëson shërimin e asaj që është në zanafillën e çdo së keqe të njeriut,
mëkatit. Kështu tregimi ungjillor i kësaj së diele na rrëfen për shërimin e vjehrrës
së Simonit; për shërbimin e të sëmurëve që Jezusi bëri në mbrëmje, për nisjen e tij
drejt një vendi të vetmuar për t’u lutur e përsëri nisjen nga andej për t’iu kthyer
predikimit nëpër fshatra tjerë. Me skena të shpjeta Marku ravijëzon tiparet e fytyrës
së Jezusit: një njeri që shëron, lutet e kumton. Në jetë dhurues i jetës; natën kërkues
i Zotit; ditën kujtesë e Zotit. Kujtohu, lutet me afsh Jobi, se kjo jetë është një
frymë, frymë e hidhur. Para Zotit nuk ka tjetër meritë përveç se të jesh i vogël;
një frymë (afsh) mjafton për të qenë të dashur prej Tij. Jezusi në Kafarnaum është
i rrethuar nga fryma e së keqes. Kemi një rritje vorbullore të sëmundjeve e të djajve,
e mbrëmja sjell në qytet shpërthimin e turmës e të dhembjes. E pastaj shpërthimin
e jetës së rigjetur. Një ditë e një mbrëmje për të menduar për njeriun, një natë e
një agim për menduar për Zotin. E pastaj jeta do të degëzohet drejt fshatrave tjerë,
drejt vendeve të dhembjeve e të pritjeve. Vjehrra e Simoni ishte në shtrat me ethe
(zjarrmi). Mrekulli kaq e varfër, kaq pak e dukshme, ku Jezusi as nuk flet. Por flasin
gjestet e tij. Tjerët i flasin për të, Jezusi ka një zemër që dëgjon, atë zemër prej
mbreti që Salomoni pati kërkuar, duke mahnitur Hyjin. Kulti i parë ndaj Hyjit e njeriut,
shërbimi i parë: dëgjimi. Jezusi u afrua. Shkon drejt dhembjes, nuk e anashkalon,
asnjë frikë, zhytet në sytë e gruas. E merr përdore. Dora në dorë është fuqia e transmetuar
atij që është i lodhur, besimi i çdo fëmije ndaj babait, dëshirë e ngrohtësisë, e
përzemërsisë. E merr dorën tënde ai që ka dashuri, e shtrëngon shumë ai që ka zemër
për ty. E ngre lartë: Jezusi e çon gruan, e kthen në ecjen e drejtë, ia kthen shtatin
e lartë, krenarinë e ecjes e të veprimit. Dora e përditshme Zotit, kur një fytyrë,
një takim, një fjalë, një mesazh, një përkëdhelje ndezin përsëri në mua shpresën dhe
hapin udhën. E ajo u vu e shërbeu. Shërimi i trupit ka si qëllim shërimin e zemrës,
shërbimi plot dashuri ndaj çdo jete. Dora që të çon në këmbë, e ndezë përsëri fuqinë
e shpjet të dashurisë e thotë: shëroi të tjerët e do ta shërosh jetën tënde. Të shkojmë
tjetërkund. Jezusi kërkon akoma tokë tjera të dhembjes, kërkon kufijtë e së keqes
për t’i sprapsur e asgjësuar. Tjetërkund, për t’i ngre në këmbë tjera jetë, për t’i
çuar në këmbë tjera krijesa, për t’ua shtrënguar dorën tjerëve që kanë nevojë për
ndihmë. Ai ka nevojë për të shëruar jetën, Ai që dashuron më kujton mua, Ai që “duhet”
të shkon në kërkim të etheve të mia. Mirëpo pastaj më takon mua të kultivojë jetën
e ringjallur, me shërbime e dashuri. Nganjëherë mund të mjafton shumë pak për të
lehtësuar, ndihmuar e lartuar një jetë: dëgjimi, afrimi, marrje për dore. E kështu
duke u mbështetur një brishtësi në tjetrën bota shkon përpara.Më shumë mbi liturgjinë
e Fjalës së Zotit të kësaj së diele, mund të dëgjoni këtu......