2012-02-04 17:41:02

Atë Lombardi: Papa kërkon transparencën e Kishës mbi pedofilinë e financat


Dy fusha: abuzimi seksual ndaj të miturve dhe transparenca e institucioneve ekonomike të Vatikanit, janë në qendër të komentit të sotëm javor të zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë:
“Në këto vite debatesh të ndezura e kritikash të mëdha kundër Selisë së Shenjtë e Kishës, është absolutisht e nevojshme ta mbajmë fort timonin edhe në detin me dallgë e, - duke u frymëzuar, siç thotë Papa, nga kriteret ungjillore të së vërtetës e të moralit – të tregojmë se kemi vullnet të patundur për ta bërë të shkëlqejë sërish dëshminë koherente të këtyre vlerave. Kjo është urgjente në dy fusha, që tërheqin jashtëzakonisht vëmendjen e publikut: çështja e abuzimeve seksuale ndaj të miturve dhe çështja e transparencës ekonomiko-financiare.
Në fushën e parë, linja e përvijuar nga Papa dhe impenjimi i Kishave të ndryshme lokale, sprovuar rëndë nga ky shkandull, vunë në lëvizje një sërë nismash për të dëgjuar viktimat, për t’i ndihmuar, për të thelluar çështjet, për të qenë të vetëdijshëm e për të marrë masa parandaluese, prandaj mund të themi me besim se jemi në rrugë të drejtë. Konferenca e ditëve të ardhshme në Universitetin Gregorian në Romë, me temë “Drejt shërimit e rinovimit”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të mëse 100 Konferencave ipeshkvnore e 30 Urdhërave fetare e me krijimin e një Qendre ndërkombëtare, që do të vazhdojë punën e nisur, është prova e kësaj. Kisha dëshiron të vendosë drejtësinë, të rinovohet, të rifitojë aftësinë për ta ndihmuar shoqërinë e botën, ku abuzimet seksuale janë të shumta, e ta luftojë me sukses këtë plagë.
Në fushën e dytë, Selia e Shenjtë po impenjohet për të futur institucionet e saj në sistemin ndërkombëtar të kontrollit të veprimtarive ekonomike, për luftën kundër pastrimit të parave, krimit të organizuar e terrorizmit. Shpesh, institucionet ekonomike vatikanase, në veçanti IOR-i (Instituti për Veprat Fetare), akuzohen pa të drejtë: pikërisht këto ditë, në një gjykatë të SHBA-ve përfundoi për akuza të pabazuara, çështja e tretë kundër IOR-it, filluar para disa vjetësh. E tani, një sërë normash të reja do të garantojnë gjithnjë e më mirë transparencën e sigurinë e të gjitha veprimtarive, që zhvillohen me motivacionin “shërbim i Kishës”. Rruga është e gjatë dhe e vështirë, por drejtimi është i qartë dhe vullneti i patundur. Dëshmia e Ungjillit do të fitojë shumë prej kësaj”.







All the contents on this site are copyrighted ©.