50 vjet pas Koncilit II të Vatikanit, imzot Kapovila kujton ndjenjat e Papës Gjoni
XXIII, në prag të hapjes së tij
Vetëm pak ditë pas zgjedhjes në fronin e shën Pjetrit, Papa Gjoni XXIII i tha sekretarit
të tij të veçantë, don Loris Kapovilës, se kishte ndërmend të thërriste një Koncil
ekumenik. Gjatë këtij viti, Kisha Katolike kremton pikërisht 50-vjetorin e këtij Koncili,
të Koncilit II të Vatikanit, që pati filluar më 11 tetor 1962. Tashmë 96 vjeçar, vetë
imzot Loris Kapovila përshkruan në mikrofonin tonë ankthin, problemet, dëshirat e
fenë, me të cilën Papa Gjoni XXIII përgatiti këtë ngjarje të madhe në historinë e
Kishës: Kur Papa më foli për herë të parë mbi këtë, ishte zgjedhur vetëm prej
pesë ditësh. Bëri një shenjë të pacaktuar me dorë e tha: “Mbi tryezën time janë shtruar
shumë probleme, pyetje e shqetësime. Do të duhej diçka e veçantë dhe e re, jo vetëm
një Vit i Shenjtë. Në Kodin e së Drejtës Kanonike - i reformuar pikërisht atëherë
- ka një kapitull, që quhet ‘De Concilio ecumenico’”. Më tej, më foli edhe një herë
tjetër për këtë e unë gjithnjë heshtja. Pastaj, erdhi mbrëmjen e 21 dhjetorit 1958,
më foli sërish e më tha: “Eprori yt(Papa Gjoni XXIII) ta ka përmendur këtë plan të
madh; a të duket se është frymëzim i Zotit? Ti, deri tani, nuk ke thënë asnjë fjalë…”.
E duke më prekur në krah, më tha: “Fakti është se ti arsyeton disi njerëzisht, si
një afarist, që bën një projekt e thërret arkitektin, këshilltarët e ata, që merren
me bankat. Ndërsa për ne, është dhuratë e madhe e Hyjit të pranojmë frymëzimin prej
Tij e të flasim për këtë. Nuk pretendoj të arrij ta kremtoj, më mjafton ta shpall”. Shqetësimet,
për të cilat fliste Papa Gjoni XXIII? Ishin probleme të shtruara për zgjidhje,
probleme që kanë të gjithë: teologjike, morale, historike, por edhe ekonomike. Shpesh
këto janë mjaft të ndërthurura e të ndërlikuara e nuk zgjidhen me një bisedë të thjeshtë,
sidomos kur kanë të bëjnë me Kishën universale e me Kishën lokale. Papa na tha se
ne duhej t’i trajtonim këto çështje, t’i studionim, t’i hetonim e të thelloheshim
së bashku në to. E pastaj, gjithnjë së bashku, të nxirrnim përfundimet në elterin
e Rrëfimit të shën Pjetrit, ku edhe sot, mbi varrin e Apostullit ndriçojnë 16 llampa,
shenjë e 16 dokumenteve konciliare. Edhe para atyre, që i thonin se në moshën e tij
duhej guxim i madh, ai përgjigjej se nuk duhej ta bënte vetë këtë gjë: “Koncilin e
bën Zoti, e bën Kisha në tërësinë e saj. Ne jemi rojet e çastit. Pas një Pape, vjen
një tjetër”. Nuk është e vërtetë, që Papa kishte ngut: donte të thoshte vetëm si duhej
të ecnim, të gjithë së bashku. Hyjmë në Koncil për të bërë “çfarë”… para së gjithash?
Për t’ia shpallur botës para syve fenë tonë. E vërtet, në ditën e hapjes së Koncilit,
çasti më solem, sipas meje, nuk ishte procesioni i madh i 2500 ipeshkvijve, i këtij
“lumi të bardhë”, që përshkonte Sheshin e Shën Pjetrit. Për mua, çasti më solemn ishte
kur Papa, duke hequr kësulën e duke u gjunjëzuar para asamblesë, tha: “Ego, Ioannes,
Ecclesiae catholicae episcopus, credo in Unum Deum, Patrem Onnipotentem”. Pra, kur
tha Besojmën. Ju si e shpjegoni krizën e Perëndimit, krizën e vlerave,
atë ekonomike e pakënaqësinë shoqërore në fillim të Mijëvjeçarit të Tretë? Ka
diçka, që më ka bërë gjithnjë përshtypje: “doktrina e karizmave”, në kapitullin XII,
të Letrës së parë drejtuar Korintianëve. Aty shkruhet se Zoti shpërndan dhurata, por
thuhet edhe një gjë tjetër shumë e rëndësishme. Në rreshtin e 7-të të kapitullit XII,
për mua, është fjala vendimtare, që përcakton sjelljen e të krishterit: gjithçka ke
është e jotja, mendja, pasuria, kultura, feja është jotja, por të është dhënë “ad
comunem utilitatem”, pra, për të mirën e përbashkët.