2012-02-03 18:27:35

Simpozium në Romë për shpërdorimet e kryera mbi të miturit nga klerikët: intervistë me imzotin Shikluna.


“Drejt shërimit e përtëritjes” është titulli i simpoziumit ndërkombëtar, organizuar nga Universiteti Papnor Gregorian, që do të mbahet në Romë më 6 deri më 9 shkurt. Mblidhet me synimin për t’i krijuar Kishës mundësi të japë një përgjigje globale lidhur me shpërdorimet seksuale, kryer nga anëtarë të klerit, e sidomos, për të mbrojtur më mirë vetë të miturit. Parashikohet pjesëmarrja e delegatëve, ardhur nga 110 konferenca ipeshkvnore dhe e eprorëve e përgjithshëm të më se 30 urdhërave rregulltare. Mbi qëllimet e kuvëndimit, flet imzot Çarls Shikluna, promotor i drejtësisë pranë Kongregatës për Doktrinën e Fesë, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Para së gjithash, ndërgjegjësimi: të kuptohet mirë problemi, fenomeni i trishtuar i shpërdorimeve seksuale mbi të miturit nga ana e klerikëve; e pastaj, vendosmëria për të vepruar drejt, që ne, si Kishë katolike, të japim edhe në këtë lëndë, kaq të vështirë, shembullin e mirë, në përkim me misionin tonë ungjillor.

Pyetje: - Simpoziumi do të vërë në plan të parë pikërisht viktimat e shpërdorimeve. Ç’mendoni për këtë radhitje kaq domethënëse të problemeve?

Përgjigje: - Është domethënës fakti që ndërhyrja e parë t’i kushtohet pikërisht njeriut të dëmtuar rëndë nga ky realitet kaq i trishtuar, t’i kushtohet viktimës. Është thellësisht baritore të mendosh së pari për gjithë njerëzit, që janë ngatërruar në këtë fakt, sa të turpshëm, aq edhe tragjik; e edhe klerikët, që i dëmtuan kaq rëndë të tjerët, sepse ne jemi Kishë dhe kemi detyrat e Bariut të Mirë; t’i gjejmë delet e humbura e t’i kthejmë përsëri në kullotat tona, duke kërkuar edhe balsamin e nevojshëm për t’u shëruar plagët e hapura.

Pyetje: - Simpoziumi do të ndihmojë për vënien në jetë të direktivave të Letrës suaj, Letër e Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Është fjala për Letrën qarkore të majit 2011. Ç’tip kontributi do t’u sjellë Konferencave ipeshkvnore të mbarë botës, të ftuara posaçërisht për ta aktualizuar këtë direktivë?

Përgjigje: - Do të jetë pikërisht prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kardinali Levada, që do ta hapë këtë simpozium, me një hyrje kushtuar shpërdorimeve seksuale mbi të miturit. Natyrisht, do të flasë edhe për këtë Letër qarkore, e cila kërkoi nga të gjitha Konferencat ipeshkvnore të përgatisin vijat udhëheqëse, që do të ndihmojnë për t’i dhënë një përgjigje të përshtatshme, lidhur ngushtë me mjedisin e tyre kulturor, këtij fenomeni kaq të trishtuar. Natyrisht në takim, përveç Kongregatës, do të japin ndihmesën e vet edhe specialistë të ndryshëm, të ftuar për të folur, për të nxitur reflektimin e edhe për të ndihmuar konkretisht me propozimet e tyre, që Kishat vendase e urdhërat rregulltare t’i përgjigjen me sukses fenomenit të shpërdorimeve seksuale mbi të miturit.

Pyetje: - Mund të na thoni diçka lidhur me përgjigjet që i kanë dhënë deri më sot Konferencat ipeshkvnore të mbarë botës, kërkesës suaj lidhur me hartimin e planeve baritore, për përballimin e shpërdorimeve?

Përgjigje: - Mund të them se shumë presin përfundimin e këtij simpoziumi, për t’u kthyer në atdhe e, si të kenë marrë disa informacione të posaçme, ta përfundojnë punën, të cilën e di se disa prej tyre e kanë filluar. Kardinali ynë, për shembull, ishte kohët e fundit në Amerikën Latine, pikërisht në Brazil, ndërsa unë isha në Tajlandë për t’u takuar me ipeshkvijtë e Azisë. Pastaj, menjëherë pas përfundimit të simpoziumit, delegatët e episkopateve anglishtfolëse do të takohen përsëri, për të diskutuar mbi të njëjtën temë. Do të takohen edhe me mua e me përfaqësues të tjerë të Kongregatës sonë. Prandaj mund të them se puna është në vijim. Në Kongregatë tashmë kanë arritur edhe disa nga vijat udhëheqëse, të cilat specialistët tanë po i shqyrtojnë me vëmendje, për t’i miratuar, pastaj, përfundimisht, ose për të kërkuar ndryshime e përmirësime, pas majit të sivjetëm.

Pyetje: - Shërim, por edhe risim, përtëritje: kjo do të thotë se do t’i kushtohet vëmendje e veçantë parandalimit, domethënë, informimit?

Përgjigje: - Pa tjetër. Formimit, para së gjithash, të veprimtarëve baritorë: e kemi fjalën për klerikët, por edhe për laikët e impenjuar si katekistë. E parandalimi duhet të nisë nga baza: jo vetëm nga lart, por nga baza. E kjo është gjëja më e rëndësishme. Sepse informimi duhet të shtrihet edhe në familje, në shkolla, në famulli. Si mund të zbulohen sjelljet e rrezikshme? Si mund të ndihmohen djemtë e vajzat, të rinjtë, të mbrohen nga qëllimet e liga të tjetrit? Këtyre pyetjeve duhet t’u japim përgjigje konkrete.

Pyetje: - Sipas jush, ç’vlerë ka në këtë përpjekje parandaluese, bashkëpunimi i dioqezave me autoritetet civile?

Përgjigje: - Flasim për një fenomen tepër të trishtuar, që nuk është vetëm mëkat, por edhe krim. E si krim, dënohet nga ligjet e shtetit. Prej këndej, detyra për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë penale.

Pyetje: - A mund të themi se simpoziumi është një shenjë e re, që tregon qartë se Vatikani po lufton me vendosmëri kundër pedofilisë në gjirin e Kishës?
Përgjigje: - Po, por kjo është edhe fryt i vendosmërisë së treguar vite më parë, nga i Lumi Gjon Pali II, i cili, më 23 prill 2002, u pati thënë kardinajve amerikanë: “Nuk ka vend në shërbimin kishtar për njerëz që mund të dëmtojnë e të shkandullojnë të rinjtë”. E pastaj, kujtoj edhe udhëheqjen shumë të fortë të Atit të Shenjtë, Benediktit XVI, që i frymëzon të gjithë të bëjnë ç’është e mundur, sa më mirë e sa më shpejt, për ta parandaluar fenomenin e, atje ku janë hapur tashmë plagë, për t’i mjekuar me kujdes e dashuri.







All the contents on this site are copyrighted ©.