2012-02-03 18:25:40

Më 3 shkurt përkujtohet Shën Vlashi, ipeshkëv e martir


Sot Kisha katolike përkujtoi Shëna Vlashin, mrekullbërës, ipeshkëv i Sebastes, Pajtor i Raguzës, që kremtohet edhe në Sicili me Festën e bukëve, e jo më pak në krahinën e Kurbinit, sidomos në Laç ku, pikërisht nën Shenjtnoren e Shëna Ndout, ruhet edhe sot e kësaj dite shpella në të cilën thuhet se qe fshehur Shenjti gjatë persekutimeve fetare kundër të krishterëve nën Dioklecianin perandor. Aty edhe u kap e iu dorëzua gjyqit, si bari i të krishterëve e kundërshtar i Perandorit. Pas shumë mundimesh që iu bënë, me qëllim që ta shtrëngonin të mohonte fenë, iu pre koka, me urdhër të Agrikolaut, sundimtar i Capadocies, më 3 shkurt të vitit 316 pas Krishtit
Është shkruar shumë për Shëna Vlashin e për vendlindjen e tij. Atë Shtjefën Gjeçovi e, pas tij, edhe studiues të tjerë, si Atë Vinçenc Malaj, kanë sjellë argumente për të vërtetuar se Shenjti nuk ka lindur në Armeni - siç besohet, por në Arbëni e se emri i vendlindjes është i shkruar gabim. Shumë të dhëna vërtetojnë se Shëna Vlashi, në mos ka lindur, sigurisht ka jetuar në trevat e Shqipërisë së sotme.
Për nder të Shëna Vlashit janë ngritur një sërë kishash kudo në botë, e edhe në Romë, ku në kishën e Shenjtit në Campo di Marzo sot u kremtua festa liturgjike e tij. Kisha e toponime me emrin e Shëna Vlashit gjejmë edhe sot e kësaj dite në vise të ndryshme të Shqipërisë, duke filluar nga shpella e Shëna Vlashit në Laç tek kisha e Sh’na Vlashit në Durrës, e emërtime të tjera. Shenjti është shumë i nderuar edhe në Kosovë.
Kujtojmë se besimtarët i luten Shëna Vlashit, posaçërisht për shërimin nga sëmundjet e grykës, sepse, sipas traditës, ndërmjet shumë mrekullive që bëri, shëroi edhe një fëmijë të vogël, të cilit i kishte ngecur një halë në fyt, që po i merrte frymën.Prandaj gjatë meshëve të sotme, të gjithë të pranishmit ndër kremtime, bënë edhe kryqin nën fyt, me dy qirinj të lidhur në formë iksi e të bekuar për këtë rast, shoqëruar me lutjen: "Me ndërmjetësinë e Shëna Vlashit, Ipeshkëv e Martir, Zoti të ruajtët nga sëmundjet e grykës e nga çdo ligështi trupore e shpirtërore".







All the contents on this site are copyrighted ©.