2012-02-02 12:27:00

Paraqitja e Zotit në Tempull (Ipapandia)


Dyzet ditë mbasi u lind, Jezusi u paraqit para Hyjit në Tempullin e Jerusalemit, sikurse e kërkonte Ligji i Moisiut. Në atë kohë, edhe nëna e tij Maria bëri ritualin e pastrimit dhe ofroi flijimet, sikurse i kërkonte Ligji. Prandaj, dyzet ditë mbas Krishtlindjes Kisha kremton, më 2 Shkurt, Paraqitjen e Zotit në Tempull (Ipapandinë).
Pritja e Krishtit nga plaku Simon dhe profetesha Ana (Lluka 2:22-36) është ngjarja kryesore e festës së Paraqitjes së Krishtit në Tempull. I qe “zbuluar Simonit me anë të Shpirtit të Shenjtë, se nuk do ta shikonte vdekjen përpara se të shikonte Zotin Krisht” (Lluka 2:26) dhe, i frymëzuar prej të njëjtit Shpirt, ai erdhi në Tempull, ku paraqiti Mesinë e porsalindur, e mori në krahët e tij dhe tha fjalët, që tani thuhen çdo ditë në shërbesën e Lutjeve të Mbrëmjes:
Tani, o Zot, lëshoje shërbëtorin tënd të vdes në paqe, sipas fjalës sate, sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd, që Ti e përgatite në sy të të gjithë popujve. Dritën që bën të të njohin Ty paganët e që i jep nder popullit tënd, Izraelit. (Luka 2:29-32).
Në këtë kohë, Simoni parashikoi gjithashtu, që Jezusi do të jetë një “shenjë kundërshtimesh” dhe që Ai do të shkaktojë “rënien dhe ngritjen e shumë vetëve në Izrael”. Ai, gjithashtu parashikoi vuajtjet e Marisë për shkak të birit të saj (Lluka 22: 34-35). Ana, gjithashtu ishte e pranishme dhe duke falënderuar Hyjin “ajo u fliste për këtë fëmijë të gjithë atyre, që prisnin shpërblimin në Jerusalem”"(Lluka 2:38).
Në shërbesën e festës së Paraqitjes së Zotit në Tempull, theksohet fakti që Krishti, Biri dhe Fjala e Hyjit, me anë të të cilit u krijua bota, tani po mbahet si fëmijë në duart e Simonit; i njëjti Bir i Hyjit, Dhënësi i Ligjit, tani Ai vetë po përmbush Ligjin, i mbajtur në krahë si një foshnje.
Kremtimi i Paraqitjes së Zotit, nga Kisha, nuk është thjesht një përkujtim historik. Të frymëzuar nga i njëjti Shpirt i Shenjtë Zot, si Simoni dhe të udhëhequr po nga i njëjti Shpirt në Kishën e Mesisë, anëtarët e Kishës mund të kërkojnë “paraqitjen” e tyre te Zoti dhe, gjithashtu mund të dëshmojnë, se edhe ata mund “të lëshohen e të shkojnë në paqe”, meqenëse sytë e tyre panë shpëtimin e Zotit në personin e Krishtit.
Gëzohu, o hirplote, Hylindëse Virgjëreshë,
se prej teje ka lindur Dielli i Drejtësisë,
Krishti Perëndia ynë, që ndrit në errësirë.
Gëzohu dhe ti, o plak i drejtë,
që prite në krahët e tu
Shpërblyesin e shpirtrave tanë,
i cili na dhuroi Ngjalljen të gjithëve.

Me lindjen Tënde, Ti Shenjtërove gjirin e Virgjëreshës
dhe bekove duart e Simonit,
O Krisht Hyji ynë.
Tani Ti erdhe dhe na shpëtove me anë të dashurisë.
Falu paqen të gjithë të krishterëve e njerëzimit mbarë,
o i vetmi Njeridashës e Jetëdhënës.







All the contents on this site are copyrighted ©.