Festa e Paraqitjes së Jezu Krishtit në Tempull, njihet edhe si festa e dritës (shih
Lk 2,30-32), dhe e ka zanafillën në Lindje që në gjysmën e shekullit IV, ku njihet
me emrin ‘Ipapánte’, që do të thotë ‘takim’. Në shekullin VI kjo festë u shtri edhe
në perëndim, ku mori ngjyrime origjinale: në Romë, me karakter pendestar e në Gali,
me bekimin solemn e procesionin me qirinj. Prej këndej populli i këtyre vendeve nisi
ta quante festën ‘Kandelora’ – që tek shqiptarët quhet festa e ‘Zojës së Qirave’.
Paraqitja e Zotit në tempull, që mbyll kremtimet e Krishtlindjes me dhuratën e Virgjërës
Mari e të Jozefit dhe me profecinë e Simonit, i hap rrugën Pashkëve. Në Martiriologun
Romak shkruhet: “Festa e paraqitjes së Zotit, e quajtur ‘Ipapánte’ nga grekët, kremtohet
40 ditë pas lindjes së Krishtit, kur Maria e Jozefi e çuan Jezusin në tempull, si
për t’iu nënshtruar ligjit të Moisiut, ashtu edhe për të takuar popullin e tij besimtar
e të ngazëllyer, si dritë që ndriçon njerëzit e lavdi e popullit të Izraelit”. Dëshmia
e parë për kremtimin e festës së sotme vjen nga Jerusalemi i shekullit IV e, deri
në reformimin e Kalendarit, njihet si Festa e pastrimit të Virgjërës Mari, që tregohet
në Ungjillin e Lukës. Tradita shqiptare na kujton se sot kremtohet Paraqitja e
Krishtit në tempull e pastrimi i Zojës prej ligimit të fëmijës. Sipas Ligjit
të Moisiut, çdo djalë i parë, 40 ditë pas lindjes, çohej në tempull dhe aty i kushtohej
Hyjit ndërsa, në të njëjtën kohë, e ëma, me një bekim të veçantë, pastrohej nga përlimi
i lindjes e fitonte rishtas të drejtën të merrte pjesë, me gratë e tjera, në kremtimet
fetare të tempullit. Që këtu dokja e dikurshme kishtare që gruaja, pas lindjes, duhet
të paraqitej, porsa të çohej nga ligimi i fëmijës, në Kishë, që të hynte në uratë.
Për të shprehur nënshtrimin e plotë, prindërit duhet të çonin një qengj si flije
falënderimi, ose, në se ishin të varfër, një çift pëllumba a turtuj. Krishti, që në
çastet e para të jetës deshi t’i rrinte besnik Ligjit të Moisiut. Prej këndej të përgjakurit
dhe shugurimi zyrtar ndaj Zotit. Po ashtu Zoja e Bekuar, krijesa më e pastër, pranoi
të pastrohej, ashtu si të gjitha gratë. Ndërsa Krishti fëmijë kryen këtë sjellje
rituale, një plak i del para Marisë e Jozefit e, duke e marrë foshnjën në duar të
veta, njeh në Të e dëshmon Shëlbuesin. I rrëmbyer në shpirt, këndon këngën profetike:
“Tani merre, o Zot, shërbëtorin tënd, sipas fjalës sate, në paqen tënde, sepse sytë
e mi panë shpëtimin (Shëlbuesin) që vjen prej teje (Ungjilli). Mesha e ditës paraprihet
nga bekimi i qirinjve, simbol i Krishtit, që është drita e botës e nga procesioni,
i cili simbolikisht e drejton besimtarin drejt tempullit të qiellit, drejt lumturisë
së pasosur.