Më 2 shkurt, Kisha kremton festën e Paraqitjes të Zotit në Tempull.
Festa e ‘Paraqitjes së Zotit në tempull’, është festë e Krishtit “dritës së popujve”
dhe e takimit të Mesisë me popullin e vet në Tempullin e Jerusalemit. Kremtimi kësaj
feste fillon me liturgjinë e dritës, për të vijuar me ndezjen dhe bekimin e qirinjve
dhe me procesionin drejt Elterit të Kishës. Festa e sotme e Paraqitjes së Zotit
në Tempull, dyzet ditë pas lindjes së tij na bën të rijetojmë një çast të rëndësishëm
të jetës të Familjes Shenjte: sipas Ligjit të Moisiut, Krishti Fëmijë çohet në tempull
nga Maria e Jozefi për t’iu kushtuar Zotit. Simoni e Ana, të frymëzuar nga Hyji, njohin
në këtë fëmijë, Mesinë aq të pritur dhe profetizojnë për të. Jemi përballë një misteri,
të thjeshtë e solemn njëherësh, në të cilin Kisha shenjte kremton Krishtin, të Shuguruarin
e Atit, të Parëlindurin e njerëzimit të ri. Edhe procesioni me qirinj të ndezur,
që shënoi fillimin e kremtimit të festës së sotme, u kujtoi besimtarëve të pranishëm
hyrjen madhështore, të kënduar në Psalmin 23, të Atij që është Mbreti i lavdisë. Nga
liturgjia e Fjalës Hyjnore të kësaj së kremte na shtrohet pyetja: po kush është Zoti
i gjithëpushtetshëm që hyn në tempull?. Përgjigja na vjen gjithnjë nga Shkrimi Shenjt:
është një Foshnje; është Krishti Fëmijë, ndër krahët e nënës së vet, Virgjërës Mari.
Kështu leximet liturgjike, fragmenti i profetit Malakia, Letra drejtuar Hebrenjve
e Ungjilli nga Shën Luka, ndalen te paraqitja e Krishtit, ndërmjetësuesi që bashkon
Zotin me njeriun, duke shlyer distancat, duke zhdukur çdo përçarje e duke shembur
çdo mur që e ndan njeriun nga Zoti. Liturgjia e sotme na paraqet edhe figurën
e Virgjërës Mari, si personi i parë që e shoqëroi Krishtin në rrugën e bindjes, të
fesë së vënë në provë e të dhembjes të jetuar pranë kryqit. Pra, Maria është Nëna
e Atij që është ‘Lavdia e popullit të Izraelit’ e ‘dritë për të ndriçuar njerëzit’,
por edhe shenjë kundërshtie. Zemra e saj e papërlyer duhet të shporohet nga shpata
e dhimbjes, duke treguar kështu se roli i saj në historinë e shëlbimit nuk përfundon
në misterin e mishërimit, por plotësohet përmes pjesëmarrjes plot dashuri në vdekjen
e ngjalljen e të Birit, Qengjit që shlyen mëkatet e botës, Jezu Krishtit, dritës që
i ndriçon njerëzit në rrugën e sigurt të vërtetësisë e të dashurisë. Në fjalët
e Simeonit plak: “Sytë e mi panë shëlbimin” e të profeteshës Ana ‘që u flet për fëmijën
të gjithë atyre të cilët prisnin Mesinë në Jerusalem, në këtë mënyrë shpallet identiteti
dhe misioni i Mesisë. E ne të gjithë jemi të thirrur ta pranojmë në zemra e ta ndjekim
në jetë me gjeste e vepra dashurie, mirësie e bujarie. Në mbyllje të këtij reflektimi,
po kujtojmë se Liturgjia e kësaj feste na çon në skenën biblike ku, të mbyllur brenda
mureve të Tempullit, Simeoni e Ana, sipas Ligjit fetar të popullit Hebre, presin dritën
dhe shpëtimin. Por Jezusi nuk do të kufizohet brenda mureve. Zoti do ti përshkojë
udhët e botës për të shpëtuar mbarë njerëzimin.