Tundimi i sprasëm i Kastros: “I sëmurë rëndë, afrohet me Zotin”.
Tundohet fort Kastro. As familjarët e fëmijët, sidomos Alina, vajza e tij e vetme,
që ka shkruar një libër për Fidelin, nuk mund ta fshehin. E as Kisha, si ajo kubane,
ashtu edhe ajo e Romës, nuk mund e as nuk duan ta fshehin. E dinë, ndonëse nuk
e thonë haptazi. Por kthimi i Fidel Kastros në rrugën e Zotit, pasi e kaloi gjithë
jetën si ateist militant, pranimi i fesë, pas shkishërimit nga Gjonit XXIII më 3 janar
1962 , mund të jetë dhurata më e lartë e vizitës së ardhshme të Benediktit XVI në
Kubë, në fund të marsit. Kohët e fundit – pohon Alina - Fidel Kastro ndjehet gjithnjë
më afër fesë. Në prag të vdekjes, ka filluar të flasë për Krishtin. E kjo nuk më çudit
aspak, duke menduar se babai u edukua nga jezuitët”. Thua e nxit frika nga vdekja
ish-diktatorin të afrohet tek Zoti, i cili është atje, ku është liria? Nuk e dimë
në se është frikë, apo diçka tjetër. Por jemi të bindur se sot atij i intereson më
shumë fati i shpirtit të vet, se fati i Kubës. Sekretari i Shtetit të Vatikanit
po punon për shtegtimin e Papës e tashmë është botuar edhe programi i tij, nga 23
deri më 29 mars, më parë në Meksikë, pastaj në Kubë. Me hollësitë e këtij programi
mund të njiheni, duke hapur faqen tonë të internetit. Mos kërkoni më kot në program,
një takim të mundshëm të Papës Racinger me Fidel Kastron, si ai i 1998-tës ndërmjet
Papës Vojtila e Komandantit të asokohshëm. Nuk do ta gjeni. Por diplomacia e Vatikanit
nuk e përjashton këtë mundësi. Asokohe, para Gjon Palit II, Lideri kuban e zhveshi
uniformën e tij ushtarake e i doli para Papës me kostum e kravatë, duke e pritur me
gjithë nderimet e mundshme qysh në çastin kur shkeli në tokën e Ishullit, Sot
Fideli, 85 vjeç, në prag të vdekjes, mund të shtyhet edhe më tutje. Njerëzit e
Selisë së Shenjtë, që punojnë mbi dosjen kubane, ndonëse tejet të rezervuar, janë
gati për çdo lloj skene. Fideli – shpjegon në një dhomë të heshtur një nga personalitetet
e nivelit të lartë të Vatikanit - është shumë afër fundit. Edhe thirrjet e tij në
gazetën komuniste Granma, janë shumë më të rralla. Dihet nga të gjithë që kohët e
fundit po i afrohet gjithnjë më tepër fesë e Zotit. Është e vërtetë se më 1963 u shkishërua
nga Papa, por asokohe kjo ishte një masë pothuajse automatike për të gjithë komunistët.
Domethënë, kush ishte kumunist, përjashtonte veten nga radhët e besimtarëve, sepse
komunist do të thotë ateist. Ateizmi është pjesë e rëndësishme përbërëse e ‘besojmës’
që Marksi u mësoi ithtarëve të tij. E përsërisim: nuk parashikohet ndonjë takim
ndërmjet tij e Atit të Shenjtë. Por, në çastin kur Papa do të takohet me familjen
e Kastros, nuk përjashtohet mundësia që të jetë edhe ai vetë i pranishëm. Ndonëse
nuk është e lehtë, sepse tashmë lëviz me vështirësi. Thuhet edhe se Kuba po përgatit
një strukturë shëndetësore për ta lehtësuar këtë takim. Thua është e mundur, që
Bota ta shikojë edhe këtë çudi? Të shikojë Komandatin Kastro duke iu drejtuar Papës
si mëkëmbës i Zotit mbi tokë, duke i kërkuar ngushëllim e ndjesë, para se të kërkojë
ndjesë dikund tjetër? Ndoshta. Po bota tashmë nuk çuditet nga asgjë. Nuk do të
çuditet, prandaj, as për një takim të tillë. Por ndërkaq nuk mund të mos meditojë,
në se Fideli do t’i flasë Papës si Mëkëmbës i Krishtit, e Papa do të jetë gati ta
dëgjojë. Këto janë vetëm fjalë, apo brenda tyre ka një të vërtetë që, ndoshta-ndoshta
Komandanti ateist i djeshëm, mund t’ia ketë rrëfyer një prifti të ri, që shkon vazhdimisht
ta takojë? Kuba pret me entuziazëm Benediktin XVI. Kisha në vend duhet e respektohet.
E respekton edhe qeveria për veprimtarinë e saj të paçmuar shoqërore. E në se respektohet
Kisha, s’ka si të mos respektohet Papa e, doemos, Zoti, para gjyqit të të cilit do
të paraqiten një ditë të gjithë sundimtarët e kësaj bote. Fidel Kastro sapo i ka
mbushur të 85-at; Papa Racinger do t’i mbushë në prillin e ardhshëm. Element tjetër
për meditim, ky. Ndërsa Kisha, me histori mijëveçare, ndërmjet shumë virtytesh,
ka edhe aftësinë për të pritur, për të duruar. E një fjalë e urtë e popullit tonë
thotë: “I duruari, i fituari”.