2012-02-01 16:57:15

Sulm i ekstremistëve hinduistë në një Kolegj jezuit në Indi. Një dëshmitar denoncon: u lanë të lirë të veprojnë


Shteti i Karnatakës, në jug të Indisë, qe pak ditë më parë, teatër i një episodi të ri intolerance kundër të krishterëve. Një grup ekstremistësh hinduistë sulmuan Kolegjin-Lice të jezuitëve “Shën Jozefi”, duke plagosur disa studentë. Pas ngjarjes së 27 janarit, akuza se Kolegji nuk e kishte ngritur flamurin kombëtar, në Festën e Republikës. Natyrisht, për jezuitët ky është thjesht pretekst. Arritëm të lidhemi me njërin nga seminaristët e rinj indianë, që ndodheshin në institut atë ditë. Të dëgjojmë dëshminë e Travin Kumard:
Ajo që ndodhi më 27 janar ishte vërtet shokuese, për të gjithë, por sidomos për jezuitët. Ata janë në Anekal që prej disa vitesh. Liceun e hapën në vitin 2010. Edhe para këtij sulmi, ekstremistët hinduistë vinin shpesh në Kolegj për të kërkuar para dhe për t’i nxitur nxënësit të bashkoheshin me ta. Që në vitin 2010, famullia e jezuitëve është sulmuar, po ashtu, edhe qyteti i studentëve.
Si reagojnë autoritetet para dhunës, para persekutimit të të krishterëve?
Reagimi është zero: qeveria jonë, këtu e në nivelin e shtetit, është në duart e Partisë “Bharatiya Janata”, që në të vërtetë është grup ekstremist. Prandaj, nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e autoriteteve. Ata e lanë turmën të merrte ç’të donte.
Cilat janë marrëdhëniet ndërmjet bashkësisë së krishterë dhe popullsisë hinduiste?
Me popullsinë hinduiste marrëdhëniet janë shumë të mira: jo të gjithë hinduistët janë ekstremistë. Pak hinduistë pohojnë se janë kundër të krishterëve, sepse të krishterët impenjohen gjithnjë në edukimin e dalitëve, të cilët nuk konsiderohen njerëz nga hinduistët radikalë. Ka shumë të varfër e falë Kolegjit tonë, bijtë e të varfërve mund të ndjekin shkollën e të arsimohen. Ekstremistët hinduistë nuk e pranojnë këtë ndryshim.
A mund të flasim vërtet për “persekutim të të krishterëve” në shtetin e Karnatakës?
Po. Nuk është hera e parë që sulmohen të krishterët në Indi. Në veri të vendit, shumë famulli janë djegur e plaçkitur. Tani, është radha e shtetit të Karnatakës. Mesazhi që dua të jap fillimisht: duhet të jemi të vetëdijshëm se gjithçka bëjmë këtu, ne të krishterët, nuk e bëjmë për t’i “kthyer” njerëzit në fenë tonë, por për të favorizuar zhvillimin e vendit, përmes edukimit. Pastaj, kërkojmë të luteni për ne, sidomos për të krishterët, që sulmohen në këtë çast.







All the contents on this site are copyrighted ©.