2012-02-01 18:38:35

Meksika përgatitet për vizitën e Papës. Intervistë me ambasadorin meksikan në Selisë e Shenjtë


Pavarësisht se vizita e Papës Benedikti XVI do të bëhet pas dy muajsh, nga 23 deri më 28 mars, bashkësia kishtare e Meksikës po përgatitet për këtë ngjarje, pa e fshehur gëzimin e entuziazmin. Na flet për këtë, ambasadori meksikan pranë Selisë së Shenjtë, Hektor Ling Altamirano:
Nga informacioni që kam deri në këtë çast, mund të them se lajmërimi zyrtar për vizitën, që u dha nga Ati i Shenjtë më 12 dhjetorin e kaluar, ka zgjuar entuziazëm të madh. Pas konfirmimit të udhëtimit e të vendit, shtetit të Guanahuatos, ky entuziazëm u përhap si rrathët, kur hedh një gur në ujë, dhe u bë kombëtar, i gjithë Meksikës. Kam lajme për njerëz e grupe, të gatshëm të udhëtojnë mëse 2 mijë kilometra, nga Tihuana ose Merida për shembull, për të parë e dëgjuar Papën në Guanahuato. Vetë banorët e Guanahuatos janë entuziastë dhe euforikë. Njerëzit presin nga organizatorët e shtegtimit t’u tregojnë si, kur dhe ku do të jetë e mundur ta dëgjojnë e ta shohin Atin e Shenjtë.
Si e shpjegoni këtë atmosferë entuziazmi?
Sipas mendimit tim, është konfirmim i natyrës së katolicizmit meksikan. I yni është natyrisht, një katolicizëm shumë latin e fort hispanjol, me elemente jo të pakta tipike meksikane. Mjafton të kujtojmë Zojën e Guadalupes, betejat tona për lirinë e vendit – në të cilat kanë marrë pjesë meshtarë e njerëz të Kishës – ose për lirinë fetare. E më tej: mendoj për kujtimin e vulosur me zjarr në zemrën e meksikanëve, për trashëgiminë, që ka lënë i Lumi Gjon Pali II, i cili e vizitoi pesë herë vendin, duke treguar dashuri të madhe për kombin tonë. Më vjen ndërmend kur, para 150 mijë vetëve në Stadiumin Aztek, pati thënë: “Unë jam meksikan”. Ky lloj krishterimi fort marian, me respekt të thellë për Papën, Pasardhësin e Shën Pjetrit, është një forcë e madhe për Meksikën, që si shumë vende të tjera, përballon probleme serioze, si kriza ekonomike e dhuna.
Të ndalemi tek problemi i dhunës, që ka të bëjë me rajone të rëndësishme të Meksikës, për të kuptuar ç’po ndodh e si mund të reagojmë. Sipas jush, sa mund të ndihmojë Papa? Çfarë prisni prej tij?
Sipas meje, pavarësisht nga fjalët e shpresës në mesazhet e Atit të Shenjtë, e rëndësishme për ne është afërsia e tij shpirtërore e fizike, autoriteti i tij i padiskutueshëm moral, i pranuar nga të gjithë, në veçanti, nga 87 milion katolikët, 83% e popullsisë meksikane, sipas të dhënave të fundit. Papa është shpresë, është “sursum corda”, është nxitje për t’i ngritur “lart zemrat”, për të mos derdhur më lot, por për t’u impenjuar së bashku në përballimin e sfidave, siç ka ndodhur edhe në çaste të tjera të vështira, në jetën e vendit.
Senati meksikan po diskuton ndryshimin e nenit 24 të Kushtetutës mbi lirinë fetare, që ka të bëjë me dëshminë e fesë publikisht, ose privatisht. Disa organe të shtypit mendojnë se vizita e Papës mund të ndikojë në këtë debat. Si mendoni ju?
Më duket e natyrshme që njerëz, të cilët dyshojnë sistematikisht për çdo gjë, të shohin qëllime të dyta, ose lidhje të çfarëdoshme në debatet për Kushtetutën, apo në zgjedhjet politike, duke arritur përfundime, baza e vetme e të cilave, është – siç e thashë – dyshimi. Por, nëse duam të jemi të ndershëm e objektivë, duhet të kuptojmë se askush nuk është në gjendje të fiksojë takimet e Papës, në mënyrë që ato të përkojnë me ngjarje, që s’kanë të bëjnë aspak me misionin e tij baritor. Çështjet, që kanë të bëjnë me lirinë e fesë, po diskutohen prej kohësh në Meksikë e do të jetë kështu edhe në të ardhmen. Në këtë çast, duhet të thellohen të gjitha aspektet e lirisë fetare dhe të mënyrës si inkuadrohet ajo në një shtet, i cili është zyrtarisht laik.
Historia meksikane tregon se vendi di t’i përballojë sfidat, problemet e ndryshimet. A do të jetë kështu edhe tani?
Po, sigurisht! Janë sfida të jashtëzakonshme. Mendoj se Meksika, ashtu si kombet e tjera të rëndësishme të Amerikës Latine, ka ditur të lëvizë mirë në situatat e krizës, megjithëse popullit i është dashur të derdhë lot e djersë. Falë kontributit të vlefshëm të ekonomistëve me autoritet, vendi im arriti të kufizojë dëmet nga kjo krizë. Meksika, Kili dhe vende të tjera vazhdojnë të zhvillohen ekonomikisht, pavarësisht nga kriza: këtë vit, duhet të rrisim Prodhimin e Brendshëm me 3,5%. Në këtë kontekst, sfida tjetër parësore është lufta kundër papunësisë, që tek ne, është e lartë, por jo aq sa në Evropë. Ekziston edhe një problem i tretë: dhuna e krimit të organizuar, kundër së cilës po përpiqemi të gjejmë mënyrat më të mira për të arritur rezultate të qëndrueshme. Horizonti është gjithnjë po ai: ligji, zbatimi dhe respektimi i tij.
Duhet të kujtojmë se, për shkak të pozitës gjeografike, Meksika është shndërruar në një lloj “korridori”, përshkuar nga valë dhune prej veriut në jug…
Nuk është krejtësisht e saktë, megjithëse ky është një nga aspektet e problemit. Nuk mund të kemi marrëdhënie të mira me veriun, kur në mes, ekziston një mur çeliku prej 3 mijë kilometrash, për të penguar flukset e emigracionit drejt SHBA-ve. Nga njëra anë, kanë nevojë për krahun meksikan të punës e, nga ana tjetër, inkurajojnë emigracionin klandestin. Duhet shtuar se ky mur ka pak si shumë vrima, nga kalojnë armët e krimit të organizuar. Pastaj, kemi konsumin e drogës përtej kufijve tanë
Drogë, shumica e të cilës, vjen nga jugu i kontinentit…
Pikërisht ashtu. E Meksika, që ishte “vendkalim” për trafikun e drogës, tani, duhet të vuajë nga masat e kontrollit të SHBA-ve në aeroporte, në dogana, në kufi. Trafiku i drogës gjen vështirësi në kapërcimin e kufijve e ndalet në Meksikë. Për rrjedhojë, në disa zona të rëndësishme të vendit ka filluar konsumi i drogës. Në këtë kontekst ka hyrë shpejt mikrokriminaliteti, i cili jep krahun e punës për shpërndarjen e drogës, që nuk e blejnë vetëm të varfërit, apo injorantët, por edhe njerëzit e kulturuar, me studime e universitete. Përveç konsumit, është rritur edhe prodhimi i drogës në Meksikë e kjo e rëndon problemin. Nganjëherë, papunësia e lehtëson veprimin e kriminalitetit të organizuar. Së fundi, duhet të kujtojmë valën e vërtetë të emigrantëve nga Amerika Qendrore: mijëra nga Hondurasi, nga San Salvadori etj., që përpiqen të arrijnë në kufirin amerikan për të gjetur të njëjtat probleme si meksikanët: nuk mund ta kalojnë kufirin. Janë të gjitha elemente të ndërlikuara e delikate të një situate jo të lehtë.
Të kthehemi tek vizita e Papës. Na duket domethënës fakti, që Meksika, së bashku me Brazilin, Kolumbinë, Kubën dhe SHBA-të, hyn në listën e atyre pak vendeve amerikane, vizituar nga dy papë të ndryshëm…
Më duket një e dhënë e rëndësishme, sidomos sepse marrëdhëniet zyrtare ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Meksikës janë të reja, të kohëve të fundit. Ato janë lidhur para 20 vjetëve, më 1992, përvjetor, që do ta kremtojmë në fund të vitit. Gjon Pali II erdhi pesë herë për vizitë e dy herët e para, as që kishim marrëdhënie diplomatike. Shtojmë këtu edhe shenjtërimin e Huan Diegos e tani vizitën e Benediktit XVI. Për mendimin tim, vizita e Papës mund të na japë shumë lëndë për një reflektim serioz e të thellë fetar, sociologjik e kulturor mbi katolicizmin në Meksikë. Marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë janë shumë të mira e kjo shihet në bashkëpunimin e ngushtë për temat me interes dyplaësh e ndërkombëtar. Lista e fushave të bashkëpunimit është e gjatë. Në tetor e nëntor do të kemi shumë gjëra për të kremtuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.