2012-02-01 11:30:22

Me 1 shkurt kalendari kujton të Lumët e Anzherit - martirë të revolucionit francez.


Sot më 1 shkurt kalendari i Kishës katolike përkujton 99 martirët, viktima të revolucionit francez nga viti 1793 e deri në vitin 1794, në dioqezën e Anzherit, ku në këtë periudhë humbën jetën dy mijë vetë.
Në vitin 1791 njerëzit e Kishës u detyruan të betoheshin se do t’i qëndronin besnikë Kushtetutës Civile të Klerit. Ata që nuk pranuan të betoheshin u quajtën ‘priftërinj refraktarë’, do të thotë të pabindur dhe menjëherë nisën të persekutoheshin.
Pas betimit të parë, më 14 gusht 1792, Konventa Kombëtare kërkoi që të gjithë francezët të betoheshin për ‘Liberté (Liri) dhe ‘Egalité (Barazi), ndërsa motua e tretë e revolucionit ishte: ‘Fraternité (Vëllazërim). Edhe këtë herë mijëra francezë, ndërmjet të cilëve shumë priftërinj e rregulltarë, të shpëtuar nga persekutimi i parë, nuk pranuan të betoheshin.
Për shkak të këtij refuzimi, nga 30 tetori 1793 deri më 14 tetor 1974, gijotina e vendosur në Sheshin e njohur me emrin “du Ralliement” u preu kokën 177 të pabindurve. Ndërsa nga janari i vitit 1794 deri në prill të vitit 1794, rreth 2000 vetë u pushkatuan në Varrezën e Martirëve në Avraillé.
Nuk dihet ku u varrosën gjithë këta njerëz: më vonë u zbuluan gropat e përbashkëta, por eshtrat e gjetura nuk mund të identifikoheshin më. Studiuesit e mëvonshëm, duke shqyrtuar dokumentet dhe proces-verbalet e hetuesve, të ruajtura në arkivin e departamentet të Maine-et-Loire, munden të gjenin emrat e 99 personave të dënuar për shkak të fesë së tyre në Krishtin, nga e cila nuk kishin pranuar të hiqnin dorë, duke zgjedhur rrugën që i çoi në pushkatim pas murit të varrezës. Ndërmjet martirëve të kësaj periudhe, ishin 12 meshtarë të klerit të Anzherit, të cilëve iu prenë kokat në gijotinë.
I pari në listë ishte Atë Gulielm Repin, më i moshuari i grupit, i cili sapo i kishte mbushur 85 vjeç. Në këtë grup bënin pjesë edhe tri motra rregulltare, dy nga tè cilat ishin Bija të Dashurisë së Krishterë si dhe 84 laikë, ndër të cilët 80 ishin gra me moshë ndërmjet 40 e 60 vjetëve.
Të çudit fakti se këto gra paraqiteshin si tepër të rrezikshme për qeverinë, gjë që nuk të bind. Këtë e tregon edhe fakti se ata përfaqësonin të gjitha shtresat shoqërore: ishin zejtare, punëtore, fshatare, shitëse, një mësuese, një kirurge, tri fisnike, dhjetë zonja në shërbim të shoqërisë së lartë e gjashtë borgjeze.
Gjithsesi provohet plotësisht se të 99-tët, pa asnjë përjashtim, iu kundërvunë revolucionit, sepse nuk mund të pranonin të vendosej me forcë një kler i ri, i cili duhej t’u bindej direktivave të qeverisë revolucionare e jo më Kishës së Romës, gjë që do të thoshte të krijohej një fe skizmatike, në luftë me Hyjin e Shëlbimit, në emër të hyjneshës Arsye.







All the contents on this site are copyrighted ©.