2012-01-31 07:18:21

Ndjeti misionar i Benediktit XVI për muajin shkurt: të mbështeten veprimtarët e shëndetësisë në vendet e varfëra


“T’i lutemi Zotit të mbështesë përpjekjet e veprimtarëve të shëndetësisë në rajonet më të varfëra, në ndihmë të të sëmurëve dhe të të moshuarve”. Ky është ndjeti misionar i lutjes së Papës Benedikti XVI për muajin shkurt. Mbi rëndësinë e fesë në kujdesin për të vuajturit, sidomos për të mënjanuarit nga shoqëria, intervistuam presidentin e organizatës “Misionet e Krishtera për të Verbërit në Botë”, doktor Mario Angjin:RealAudioMP3
Më vjen ndërmend fraza e Psalmit, që thotë “Nëse Zoti nuk e ndërton shtëpinë, më kot lodhen ndërtuesit”. Jam i vetëdijshëm se përpjekjet tona, sado të lavdërueshme, sado delikate, nuk arrijnë të plotësojnë nevojën e jashtëzakonshme për ndihmë, që kanë vendet e varfëra. Prandaj, e ndjejmë se duhet një ndihmë nga Provania Hyjnore, duhet prania e Shpirtit Shenjt për të realizuar projektet e për të ndihmuar popullsitë në nevojë.
Përkrah shkencës e mjekësisë, sa e rëndësishme është dashuria në kurimin e të sëmurëve, sidomos të atyre në gjendje të rëndë?
Marrëdhëniet njerëzore janë themelore për të krijuar besimin e të sëmurëve në spital. Ekzistojnë studime, që pohojnë se vetëm duke dhënë një tas çaj, në spitalet e Indisë, rritet me 3% numri i të sëmurëve në strukturat shëndetësore, që operojnë perdet në sy. Pacienti ka nevojë të kurohet, por edhe të ndihet njeri e të trajtohet si i tillë nga mjeku.
Ju keni punuar në shumë vende. Çfarë ju ka mbetur nga përvoja juaj e sa ka ndikuar ajo në fe?
Duhet të them se pas disa vjetësh, mbetet lidhja me njerëzit e kujtesa e projekteve, që kemi bërë së bashku. Mbetet sidomos prania dhe fytyra e njerëzve, që kam takuar: misionarë, murgesha, fëmijë, të moshuar… Nëse duhet të bëj pa tjetër një lloj bilanci, me vijnë ndërmend shumë situata, në të cilat kam qenë krah për krah me njerëz, që në këmbim të ndihmës, më kanë dhënë kaq dashuri e humanitet, sa edhe sot e kam plot zemrën.
Çfarë do t’i këshillonit një mjeku të ri, që ka dëshirë të shkojë në mision në vendet e varfëra?
Përvoja ime personale ka qenë gjithnjë e lidhur me misionarë, ose me rregulltarë. Do ta këshilloja të gjejë një pikë referimi, një person të besueshëm, me të cilin të njohë problemet e vendit. Përmes kontaktit të parë, hapen mundësi të tjera. Lidhja me një strukturë kishtare, një misionar i besueshëm për të ndihmuar, kanë qenë për mua çelësi i hyrjes në shumë situata, në kontinente të ndryshme, nga Amerika e Jugut në Afrikë. Këshilla ime është që mjekët e rinj të mos nisen si turistë, por si vëllezër në Krishtin, duke u mbështetur tek një misionar.







All the contents on this site are copyrighted ©.