2012-01-31 07:18:34

Asambleja kombëtare e “Feve për paqen”: impenjim për paqen, drejtësinë e çarmatimin.


“Tjetri si vlerë. Të lehtësohet mundësia për ta takuar e për ta mikpritur tjetrin, për një Itali më solidare, me sytë drejtuar nga ardhmëria” - kjo ishte tema e Asamblesë kombëtare të “Feve për paqen” (Wrfp), mbajtur dje në Romë, pranë Shtëpisë së pritjes së Kompleksit spitalor të “Shën Kamilit”.
Të krijohen marrëdhënie pozitive me emigrantët e me pakicat, duke kontribuar kështu për evolucionin demokratik e pluralist të revolucioneve, që kanë shpërthyer në Veriun e Afrikës, falë nismave të të rinjve për të afirmuar dinjitetin e tyre e për të kërkuar lirinë. E akoma: të favorizohet përgjegjësia e përbashkët përballë krizës së rëndë strukturore, që rëndon mbi Italinë, Evropën e SHBA, deri pak kohë më parë forca, që tërhiqnin pas vetes mbarë ekonominë botërore. Këto, argumentet kryesore të asamblesë kombëtare të “Religions for Peace”: impenjim konkret për t’u vënë në jetë së bashku edhe me ata, që nuk e njohin njëri-tjetrin në perspektivën fetare, për të përhapur respektin konkret të të drejtave të njeriut, për t’iu kundërvënë formave të ndryshme të varfërisë dhe për të çarmatosur arsenalet bërthamore. Por cilat janë sfidat kryesore, që e presin Lëvizjen menjëherë pas përfundimit të Asamblesë kombëtare. Na i shpjegon Luigi De Salvia, sekretar i përgjithshëm i seksionit italian të lëvizjes “Fetë për paqen”:

Përgjigje: - Në vendin tonë, në veçanti, jemi gati ta thellojmë mikpritjen e përfaqësuesve të feve të ndryshme, edhe brenda vendeve të mjekimit, për shembull: kjo është një mënyrë konkrete për të dhënë një shenjë respekti për dinjitetin e njeriut, duke vlerësuar traditat e tij, duke vlerësuar pasuritë shpirtërore, me rëndësi të veçantë edhe për suksesin e mjekimit. Pastaj, edhe ndër shkolla më duket e rëndësishme të inkurajohet njohja reciproke e njerëzve me kultura të ndryshme. Jo automatikisht. Nuk bëhet menjëherë njohja. Disa herë e nënvleftësojmë atë, që është më e thellë, nënvleftësojmë mëdyshjet, shqetësimet, përballë së panjohurës. Por këto shpesh herë janë dinamika të forta e të rëndësishme. Prej këndej, duhet të punojmë me frymë pozitive për t’i njohur e për t’i përballuar kundërshtimet, që mund të lindin, të vogla a të mëdha qofshin, sepse vetëm kështu mund ta njohim tjetrin e mund ta sheshojmë rrugën për të punuar së bashku në mbrojtjen e vlerave. Gjë që na bën të dyja palët, më të besueshme.

Pyetje: - Cilat janë vështirësitë që hasni në përpjekjen për të përhapur kulturën e dialogut e të bashkëpunimit, a më mirë të themi, problemet kryesore të veprimtarisë suaj?

Përgjigje: - Me një afrim që llogarit mirë edhe pengesat e kundërshtimet, nuk hasen shumë vështirësi. Shpesh vështirësitë lindin pikërisht kur njerëzit, që mendohet se janë më të gatshëm, që duket sikur nuk kanë fare probleme përballë larmive, i nënvleftësojnë mëdyshjet e të tjerëve, duke krijuar, kështu, gati-gati një frymë arrogance pikërisht nga ana e atij, që mendojnë se është më i gatshëm për dialog. Edhe kjo krijon vështirësi: mosrespektimi i pozitave më tradicionale, madje, më tradicionaliste. Këto vështirësi duhen kuptuar. Disa herë, sjelljet e padurueshme e antiraciste, krijojnë më shumë vështirësi, sesa besohet.

Pyetje: - Sa interesohen të rinjtë për projektin tuaj?

Përgjigje: - Shikoj se ka një interes të madh në nivele të ndryshme. Përsa u përket të rinjve, duhen gjetur rrugët më të përshtatshme e temat, që u interesojnë më shumë. E, ndër më interesantët, është terreni i sportit. Ne, së bashku me shoqatat e tjera, kemi marrë nisma, të cilave - për shembull futbollit, posaçërisht në Romë - u kemi dhënë ngjyrime shoqërore. Nisma, e lindur nga poshtë, po përhapet edhe në qytete të tjera. E me të, përpiqemi të krijojmë integrim dhe edukim. Ndëmjet tjerash këta të rinj e përfundojnë turneun me takimet e përshpirtërisë, në të cilat dëshirojnë të takojnë njerëz me ndjeshmëri e tradita të ndryshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.