2012-01-30 10:45:59

Shenjtorët e javës që vjen


E diel 29 janar, Kisha katolike kremton të dielën e 4-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 29 janar kalendari Kishtar përkujton edhe shën Kostancin, ipeshkëv i Perugjës dhe shenjtorët Papia e Mauri, ushtarë martirë. Ata na kujtojnë se Krishti kërkon edhe shëlbimin e paganëve e se ai ngadhënjen mbi vdekjen e mbi të gjithë shpirtrat e ndyrë. Pikërisht Ngjallja e Krishtit hapi rrugën për t’ia predikuar Ungjillin mbarë njerëzimit.
Të hënën më 30 janar, bie përkujtimi i shën Martinës, martire dhe shën Gjaçintës Mareskoni, virgjër romake. Liturgjia na kujton se fuqia që del nga Jezusi shëron e jep jetë. Kush është me të, kush e prek, kush e takon e e mikpret, fiton nga Zoti jetën e pasosur.
Të martën e ardhshme me 31 janar, kalendari përkujton shën Gjon Boskon, meshtar e themelues i Salezianëve, atë e mësues i të rinjve dhe shën Marçelën romake, dishepulle e shën Jeronimit. Festa e shën Gjon Boskut na kujton se edhe njerëzit e kohëve tona shkandullohen e çuditen për Jezusin: e për ta pranuar, duhet parë me sytë e fesë e të dashurisë, që na mësojnë se Krishti është Biri i Zotit e se prandaj vetëm kush beson në Të, e percepton të renë që Ai e Fjala e Tij Ungjillore sjell ndërmjet njerëzve.
Të mërkurën më 1 shkurt, kalendari do të përkujtohet festa e shën Brigjidës, abateshë në Irlandë dhe shën Ludovikës Alberoni, vejush romake. Liturgjia e ditës na kujton se Dymbëdhjetë Apostujt, të thirrur nga Jezusi, nisin misionin e shëlbimit: predikojnë pendesën dhe mbretërinë e Hyjit, pastrojnë zemrat njerëzore nga e keqja, kujdesen për ata që vuajnë. Janë të dërguar për të dëshmuar jetën, duke u bërë shembull e model për të krishterët e të gjitha kohërave.
Të enjten me 2 shkurt, do të kremtohet Paraqitja e Krishtit në tempull, që ndër shqiptarë njihet edhe si festa e Zojës së qirave. Liturgjia e kësaj feste na çon në skenën biblike ku, të mbyllur brenda mureve të Tempullit, Simeoni e Ana, sipas Ligjit fetar të popullit Hebre, presin dritën dhe shpëtimin. Por Jezusi nuk do të kufizohet brenda mureve. Zoti do të përshkojë udhët e botës për të shpëtuar mbarë njerëzimin.
Të premten me 3 shkurt kalendari do të përkujtojë shën Vlashin, ipeshkëv i Sebastës e martir, që na kujton se Zoti është bariu i çdo besimtari: kush ecën pas tij, nuk ka frikë nga askush, nuk i mungon asgjë!
Të shtunën që vjen me 4 shkurt kalendari përkujton shën Eutikin, martir dhe shën Jozefin nga Leonesa, kapuçin. Në jetën e shenjtorëve e gjejmë Jezusin që tregon një pushtet aq të fuqishëm mbi forcat e natyrës, sa t’i nxisë dishepujt t’i bëjnë vetes pyetjen: “Kush është ky?”. Përgjigjen e gjejmë në fe, që na i hapë sytë për të kuptuar kush është në të vërtetë Jezu Krishti e për të lëvduar Zotin, që e mbajti premtimin.
Të dielën e ardhshme me 5 shkurt, Kisha do të kremtojë të dielën e 5-të gjatë vitit kishtare, e gjithnjë më 5 shkurt kalendari përkujton edhe shën Agen, virgjër e martire; shën Adelajden, abateshë dhe shën Elizabeta Kanorin, nënë familjeje.
Liturgjia e festës së shenjtoreve na mëson se të gjithë ata që e preknin Jezusin, shëroheshin. E të prekësh do të thotë të jesh afër. Afërsia, formë e parë dhe themelore e marrëdhënieve me tjetrin, na kujton se edhe feja është lidhje e drejtpërdrejtë e personale me Hyjin. E ndërsa jemi në bashkim me Zotin, ai vetë na nxit t’i qëndrojmë pranë edhe të afërmit.







All the contents on this site are copyrighted ©.