Në katekizmin e së mërkurës, Papa Benedikti XVI i ftoi besimtarët të mos e kufizojnë
lutjen vetëm në kërkesa për zgjidhjen e problemeve personale. Duke ia hapur zemrën
gjithë botës, nënvizoi Ati i Shenjtë, të kujtojmë edhe të afërmin para Zotit.
Të
mërkurën mbrëma, Papa kremtoi Mbrëmësoret në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve,
në solemnitetin e Kthimit të Shën Palit Apostull, që si çdo vit, mbylli Javën e Lutjes
për Bashkimin e të Krishterëve. “Ata që impenjohen në dialog – theksoi Benedikti XVI
– nuk duhet të çkurajohen para përshtypjes se rruga drejt bashkimit të plotë është
akoma e gjatë e plot pengesa. Fitorja vjen në kohën e vet e kërkon prej nesh fe e
durim”.
Në Mesazhin për Ditën Misionare Botërore, që do të kremtohet më 21
tetor 2012, por që u bë i njohur javën e kaluar, Papa Racinger vë në dukje nevojën
e imitimit të entuziazmit apostolik të bashkësive të para të krishtera, të cilat megjithëse
të vogla e të pambrojtura, arritën ta përhapin Ungjillin e Krishtit në të gjithë botën.
“Misioni “ad gentes” duhet të jetë horizonti i vazhdueshëm dhe paradigma e çdo veprimtarie
kishtare”, shkruan Ati i Shenjtë.
Para vizitës së Benediktit XVI në Kubë,
në program nga 26 deri më 28 mars, qeveria e Raul Kastros u dha amnistinë 2.900 të
burgosurve, ndër të cilët, 86 të huaj. Regjimi kuban sqaron se ky është një akt sovran,
për arsye humanitare, pasi shumica e këtyre të burgosurve janë të moshuar, ose të
sëmurë. Një pjesë janë liruar pasi janë sjellë mirë në burg.
Në fund të javës
së kaluar, u zhvillua në Vatikan, një takim ndërkombëtar kushtuar Fondacionit për
ungjillëzimin përmes mediave. Objektivi i tij është të ungjillëzohet bota dixhitale,
duke financuar nisma të ndryshme, ndër të cilat projektin për një televizion katolik
botëror.