2012-01-30 10:46:33

Kumran, një mision italian do të bëjë kërkime të reja në zonën arkeologjike


Që nga dita e zbulimit të saj të rastësishëm, më 1947, zona arkeologjike e Kumranit, ku u gjetën të ashtuquajturit “rrotullat e Detit të Vdekur”, mori një rëndësi të jashtëzakonshme nga pikpamja historike dhe nga ajo e studimeve biblike, por edhe nga pikpamja shpirtërore. Gjatë muajve të ardhshëm, një ekip arkeologjik italian, i ngarkuar nga “Ecole Biblique” e Jeruzalemit, do të bëjë hetime të reja në zonë.RealAudioMP3
Detyra e misionit italian do të jetë mbledhja e elementeve të tjera mbi funksionin historik të vendit, i cili në interpretimin më të njohur, konsiderohet seli e bashkësisë fetare të Esenëve, pjesëtar i të cilit mendohet të ketë qenë edhe Jezu Krishti. Arkeologët do të studiojnë veçanërisht qeramikat, sidomos amforat, ku u ruajtën pergamenat e famshme me tekstet e fetare e ato të Besëlidhjes së Vjetër. Për rëndësinë e këtyre kërkimeve, flet në mikrofonin tonë, koordinatori i misionit arkeologjik të Universitetit romak “La Sapienza” në Jordani e Palestinë, Lorenco Nigro:
“Perspektiva e zgjedhur nga studiuesit e “Ecole Biblique” të Jeruzalemit është t’i drejtohemi kulturës materiale për të interpretuar mirë kontekstin, në mënyrë që të kemi një burim të pavarur kërkimor, si qeramikat. Ky është një nga materialet e fundit të përdorura, por edhe më i përhapuri, që për arkeologun bëhet burim i ri informacioni, themelor për të kuptuar kronologjinë e të gjitha problemeve”.
E rezultate të rëndësishme mund të arrihen jo vetëm në aspektin e datimit, siç nënvizon përgjegjësi i projektit Kumran, Marçelo Fidancio:
“Kur atë Lagranzhi, themeluesi i Ecole Biblique, shkoi në Jeruzalem, qëllimi i tij ishte të bashkonte monumentin me dokumentin, pra, të lexohej Bibla në tokën e Biblës, të lexohej Shkrimi i Shenjtë në ambientin e vet. Kërkimet që bëjmë sot mbi Kumranin janë arkeologji, pra mbi kontekstin antropologjik, mbi gurët dhe ç’na thonë ata për jetën e njerëzve të atëhershëm. Kjo do të na ndihmojë ta kuptojmë më mirë botën biblike dhe jetën fetare të periudhës, në fund të së cilës lindi Besëlidhja e Re, me shkrimin e Ungjijve e me predikimet e Shën Palit Apostull”.
Studimi i vendit arkeologjik të Kumranit do të thotë edhe përballimi i tematikave shpirtërore, përveç atyre kulturore. Sërish Marçelo Fidancio thellohet në këtë përmasë të dyfishtë:
“Synimi është gjithnjë që përmes kulturës e intelektit të ushqejmë përvojën shpirtërore. Duhet të themi se kjo nuk e dobëson aspak profilin shkencor të punës kërkimore. Ne duhet të përdorim terminologjinë e duhur e t’i japim mundësi bashkësisë së studiuesve të konfrontohet me zbulimet e rezultatet”.








All the contents on this site are copyrighted ©.