2012-01-30 10:46:12

"Doktrina e Kërshtenë “
e imzot Budit


Duke shfletuar kalendarin historik, kujtojmë se si sot më 29 janar të vitit 1622 imzot Pjetër Budi i dhuroi Bibliotekës Apostolike të Vatikanit kopjen origjinale të veprës së parë të tij “Doktrina e Kërshtenë “(Dottrina Christiana) , përkthim i katekizmit të Shën Robert Belarminit që u botua në Romë më 1618.
Vepra e parë e Budit është "Dottrina Christiana"ose "Doktrina e Kërshtenë", një përkthim i katekizmit të Shën Robert Belarminit (Roberto Bellarmino, 1542-1621). U botua në Romë më 1618 dhe një ndër kopjet origjinale ruhet në Bibliotekën e Vatikanit (R.I. VI. 449). Kryefaqja e titullit përmban këto të dhëna:

"Dottrina Christiana. Composta per ordine della fel.me. Di Papa Clemente VIII. Dal. R. P. Roberto Bellarmino Sacerdote della Compagnia di Giesv. Adesso Cardinale di Santa Chiesa del Titolo di S. Maria in Via. Tradotta in lingua albanese. Dal Rever. Don Pietro Bvdi da Pietra Biancha. In Roma, Per Bartolomeo Zannetti. 1618. Con Licenza de' Superiori."

(Doktrina e Krishterë, e hartuar për nder të kujtimit dritëplotë të Papa Klementit VIII nga Robert Belarmini, prift i Shoqërisë së Jezusit, tani Kardinal i Kishës së Shenjtë të Shën Marisë in Via. Përkthyer në gjuhën shqipe nga i nderuari Don Pjetër Budi nga Guri i Bardhë. Në Romë, nga Bartolomeu Zaneti 1618. Me lejen e Eprorëve.)

E shënuar me dorë në fund të faqes është "Autore dono dedit Bibliothecae Vaticanae. 29 Januari 1622" (Autori ia dha [këtë kopje] si dhuratë Bibliotekës së Vatikanit. 29 Janar 1622).
Shën Robert Belarmini nga Montepulçano ishte kardinal dhe jezuit, i kanonizuar dhe deklaruar doktor i kishës më 1930, Doktrina Kristiane mjaft e përhapur e të cilit, ashtu si veprat e tij të tjera, e kishte dëshmuar si teolog të zotin në konflikt me protestantizmin. E ashtuquajtura Doktrina Kristiane 'e vogël' e tij, një vepër që Kundërreforma e rekomandonte posaçërisht për përdorim misionar, kishte qenë botuar së pari më 1597 dhe më pas qe përkthyer në një numër gjuhësh, përfshirë gjuhën angleze, uellse, arabe (1613) dhe greke (1616). Përkthimi shqip i Doktrinës Kristiane prej Pjetër Budit përbëhet nga 169 faqe.
Doktrina Kristiane në gjuhën shqipe u rishtyp nga Kongregacioni i Propaganda Fides në Romë. Për këtë duhet të ketë pasur një numër relativisht të madh kopjesh nga botimet e viteve 1636, 1664 dhe 1868. Dihet se më 1759 në depot e Propaganda Fides kishte ende gjithsej 960 kopje të librit(19).
Me interes të madh letrar e fetar, si katekizëm, përmbajtje e doktrinës së krishterë, vepra ka edhe pesëdhjetë e tri faqe me vjersha fetare apo shpirtërore në shqip, rreth 3000 vargje, shtojcë për Doktrinën e Kërshtenë. Këto vargje përbëjnë poezinë më të hershme në dialektin gegë. Mjaft nga këto vargje qenë përkthyer nga latinishtja ose italishtja, por një pjesë janë origjinale.







All the contents on this site are copyrighted ©.