2012-01-30 17:14:50

Benedikti XVI kujton presidentin Oskar Luigji Skalfaro.


“Burrë i ndritur katolik shteti”: kështu e kujton Papa Benedikti XVI Oskar Luigji Skalfaron, president i Republikës italiane nga viti 1992 deri në vitin 1999, që vdiq dje, në Romë. Në një telegram, drejtuar bijës së ish-presidentit, Papa shpreh ngushëllimet më të ndjera, duke e kujtuar me nderim të thellë Burrin katolik të Shtetit, që u përpoq për promovimin e së mirës së përbashkët e të vlerave të pandryshueshme etiko-fetare kristiane, tipike për traditën historike e civile të Italisë.
Nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, dy telegrame: njëri, së bijës e tjetri, Presidentit italian Giorgio Napolitano. Në këtë të fundit i ndjeri kujtohet si “shërbëtor besnik i institucioneve dhe si njeri i fesë”.

Duke vënë gjithë jetën në shërbim të shtetit, Skalfaro qe anëtar i Asamblesë Kushtetuese të 1946-tës si dhe dy herë ministrër e zëvendës-sekretar. Kryetar i Dhomës në prill 1992, u zgjodh në Kuirinale një muaj më pas.
Edhe atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës vatikanase të Shtypit e i Radios sonë, i bën Burrit të madh të shtetit italian, një homazh, të cilin e quan ‘personal e plot mirënjohje’:
“Dëshiroj të kujtoj vetëm dy aspekte të jetës e të personalitetit të Presidentit Skalfaro. Është njëri nga përfaqësuesit e fundmë e të shquar të asaj breznie që, në lule të forcave, u impenjua bujarisht për rindërtimin e vendit, në përfundim të tragjedisë së fashizmit e të luftës, gjë që e bëri me pasion të madh ideal, me kthjelltësi kulturore e integritet moral, si dëshmi e një impenjimi shoqëror e politik, që buronte nga një fe e thellë, e jetuar ditë për ditë”.

Ndërsa vetë Skalfaro fliste kështu për rolin e Presidentit të Republikës, e të Republikave:
“Duhet të jetë brenda të gjithave, si impenjim. Por duhet të jetë edhe përmbi të gjitha. E të jesh “përmbi” do të thotë të bësh të gjitha përpjekjet, me kufizimet njerëzore, për të respektuar të vërtetën, domethënë të mos u japësh të drejtë as miqve, kur nuk kanë të drejtë, e t’u japësh të drejtë edhe kundërshtarëve, kur e kanë”.
Në një intervistë dhënë Radios sonë prillin e kaluar, Skalfaro pati theksuar:
“Në të gjitha diskutimet, e janë shumë, që kam me të rinjtë e jo të rinjtë, e përkufizoj kështu realitetin, në të cilin jetojmë: ne jemi në mjerim të thellë, kulturor e moral. Por duhet të jemi plotësisht të sigurtë se e vërteta do të fitojë mbi gënjeshtrën; e mira, mbi të keqen. Do të vijojë akoma kjo vuajtje? Kam frikë se po, e megjithatë duhet ta kemi në shpirt sigurinë absolute se në fund të fundit nuk do të fitojë e keqja, hipokrizia, e as kalbësira e grumbulluar këto vite, edhe për shkak tonë”.
U kremtua sot, në orën 14.00, në Kishën romake të Shën Marisë në Trastevere, Mesha e dritës e Presidentit të nderit të Republikës italiane, Oskar Luigji Skalfaro, që vdiq ndërmjet së shtunës e së dielës, në moshën 93 vjeçare. Meshën e kryesoi imzot Vinçenco Palia, ipeshkëv i Ternit e atë shpirtëror i Bashkësisë së Shën Egjidit.

Kujtojmë se emri i presidentit të ndjerë Skalfaro nuk është i panjohur në Shqipëri, ku ishte për vizitë disa herë. Mori pjesë edhe në përurimin e Qendrës Edukative Dom Bosko në Laprakë të Tiranës, pasi kishte dhënë një ndihmesë jo të paktë për kalimin e Shqipërisë nga komunizmi, në demokraci.








All the contents on this site are copyrighted ©.