2012-01-30 10:46:23

Administrata e SHBA-ve kundër impenjimit të Kishës për të mos lejuar abortin në strukturat e saj spitalore


Në SHBA-të, vazhdon të krijojë diskutime e debate vendimi i administratës së presidentit Obama për t’i detyruar strukturat spitalore amerikane, duke përfshirë ato katolike, të shpërndajnë kontraceptivë dhe produkte abortive. Për ipeshkvijtë amerikanë, ky është sulm i paparë kundër lirisë së ndërgjegjes e asaj fetare. Duke i lënë mënjanë komentet fetare, të cilat janë krejtësisht të qarta, i kërkuam juristit italian Karlo Kardia, pedagog i së drejtës kishtare në Universitetin Roma Tre, të na shpjegojë se sa i drejtë është ky vendim nga pikpamja thjesht juridike:RealAudioMP3
Reflektimi i parë, që dua të bëj, është se jo vetëm po luhet me Kushtetutën amerikane, por edhe me Kartat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat, ndër pikat kryesore, kanë respektimin e lirisë së ndërgjegjes. Tani, veprohet sikur këto të mos ekzistonin. Ky sulm kundër lirisë së ndërgjegjes po bëhet në shumë fronte e unë mendoj se do të ishte i rastit një reflektim ndërkombëtar për këtë, përndryshe të drejtat e njeriut – të themi të vërtetën – nuk do të ishin më universale…
Nga njëra anë, kemi mosrespektimin gjithnjë e më të madh të lirisë së ndërgjegjes, nga ana tjetër, prirjen për ta konsideruar abortin gati si një të drejtë…
Ky është aspekti i dytë, sepse kur nuk respektohet liria e ndërgjegjes, alternativa e saj bëhet e drejtë. Të mos harrojmë se kur filluan të miratoheshin ligjet për “liberalizimin e abortit”, pohohej se aborti nuk është një e drejtë, aborti është veprim i gjendjeve të dëshpëruara, që të gjithë e ndjejnë si vuajtje. Dalëngadalë, kjo përmasë u zhduk krejtësisht. Aborti po bëhet i drejtë, por ç’ndodh? Kundërshtimi i tij nuk konsiderohet më vlerë në vetvete, përkundrazi.
Para disa ditësh, Gjykata e Lartë e SHBA-ve votoi 9 me 0 në favor të lirisë së organizimit të brendshëm për besimet fetare, liri që, në një farë mënyre, është vënë në diskutim. Por këtu kemi sulm kundër vetë identitetit…
Identiteti i një shoqate apo besimi fetar është e drejta e parë, që duhet mbrojtur. Identiteti ka dy aspekte: i pari është organizimi; tjetri janë parimet. Nëse unë mendoj që parimet duhet t’i nënshtrohen një ligji civil, që mbron ide të ndryshme, kam mohuar një pjesë të së drejtës për ekzistencë të vetë besimeve fetare. Unë nuk i lejoj këto besime të jenë vetvetja. Dalëngadalë, zhvendosemi drejt një konceptimi totalitar të organizimit të njerëzve.








All the contents on this site are copyrighted ©.