2012-01-27 18:34:35

Papa Kongregatës për Doktrinën e Fesë: e vërteta gjindet në Zotin, gjithçka tjetër është moralizëm i zbrazët.


Kriza e fesë është sfida më e madhe për Kishën sot: prandaj është më i domosdoshëm se kurrë bashkimi i të krishterëve. Ishte kjo sinteza e fjalimit, që u drejtoi sot Papa 70 pjesëmarrësve në mbledhjen plenare të Kongregatës për Doktrinën e Fesë, duke i pritur në audiencë, në Sallën Klementine, në Vatikan. Benedikti XVI u ndalua mbi disa aspekte të udhës ekumenike, rreth të cilave reflektoi edhe mbledhja plenare e dikasterit, në përkim me përfundimin e Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve.RealAudioMP3

Jemi përballë krizës së thellë të fesë në zona të ndryshme të botës, përballë humbjes së ndjenjës fetare, gjë që përbën sfidën më të madhe për Kishën e sotme. U nis nga një konsideratë e tillë Papa, duke nënvizuar se Kisha duhet t’i përqendrojë të gjitha forcat në përtëritjen e fesë:
“Uroj që Viti i fesë të japë ndihmesën e vet, me bashkëpunimin e përzemërt të të gjithë Popullit të Hyjit, për ta bërë Zotin përsëri të pranishëm në këtë botë, për të hapur portat e fesë, për t’ia besuar njeriun këtij Zoti, që e deshi deri në fund të fundit, në Jezu Krishtin e kryqëzuar e të ngjallur”.
E kjo detyrë, lidhet ngushtë me temën e unitetit të të krishterëve. Benedikti XVI u ndalua tek disa aspekte doktrinore, që kanë të bëjnë me udhën ekumenike të Kishës, mbi të cilën reflektoi edhe vetë mbledhja plenare e Kongregatës, në përkim me përfundimin e Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve. Dialogu ekumenik, kujtoi Papa, solli fryte të begata, por gjithsesi, kërkon t’i hapim mirë sytë, përballë rrezikut të irenizmit të rremë e të indiferentizmit, krejtësisht të huaj për Koncilin II të Vatikanit. Kujtojmë se irenizmi është një lëvizje e lindur në Kishën Katolike, që uron rikthimin në gjirin e saj të kishave të ndara e, më gjerë, dialogun, posaçërisht me Kishën Ortodokse. Prandaj Papa përdor epitetin “i rremë” kur i fton të krishterët për të përballuar vështirësitë e kohës, e sidomos, indiferentizmin:
Ky indiferentizëm shkaktohet nga opinioni gjithnjë më i përhapur se njeriu nuk mund ta kuptojë të vërtetën, prej këndej, duhet të kufizohet në gjetjen e rregullave të nevojshme për një praktikë, që është në gjendje ta përmirësojë botën. E kështu feja u dashka zevendësuar me një moralizëm pa themel të thellë. Ndërsa qendra e ekumenizmit të njëmendtë është feja, në të cilën njeriu takohet me të vërtetën, që i zbulohet në Fjalën e Zotit”.
Pa fe, shpjegoi Papa, e gjithë lëvizja ekumenike do të kufizohej në një formë “kontrate shoqërore”, në të cilën hyhet për interesa të përbashkëta, ndërsa logjika e Koncilit II të Vatikanit, krejtësisht e ndryshme, na kujton se: “Kërkimi i sinqertë i bashkimit të të gjithë të krishterëve është dinamizëm i frymëzuar nga Fjala e Zotit, nga e Vërteta hyjnore, që na flet në këtë Fjalë”.
Për Papën, problemi kryesor në dialogët e ndryshëm ekumenikë, është çështja e strukturës së zbulesës - lidhja ndërmjet Shkrimit Shenjt, traditës së gjallë të Kishës Shenjte dhe Shërbimit të pasardhësve të Apostujve, si dëshmi e fesë së vërtetë. Me këtë lidhet ngushtë edhe problematika e ekleziologjisë, si pjesë përbërëse e problemit: “si arrin e vërteta e Hyjit tek ne”. E në këtë aspekt, është themelor dallimi ndërmjet Traditës e traditave. Benedikti XVI kujtoi se një hap i rëndësishëm i këtij dallimi është bërë përmes zbatimit të masave që janë marrë për grupet e besimtarëve ardhur nga anglikanizmi, të cilët dëshirojnë të hyjnë në bashkim të plotë me Kishën, duke ruajtur traditat e tyre shpirtërore, liturgjike e baritore, në përkim me ato të Kishës Katolike.
Papa e njeh mirë pasurinë shpirtërore të Konfesioneve të ndryshme të krishtera, shprehje të një feje të vetme e dhuratë për t’u ndarë e për t’u gjetur së bashku në Traditën e Kishës.
Një çështje tjetër themelore është ajo e metodave të përdorura në dialogët e ndryshëm ekumenikë, që duhet të reflektojnë, edhe këto, për përparësinë e fesë:
Në këtë këndvështrim, duhen përballuar me guxim edhe problemet e mosmarrëveshjeve, gjithnjë në frymën e vëllazërisë e të respektit të anasjelltë”.
Duhet të ofrojmë edhe një interpretim korrekt të rendit apo hjerarkisë, në të vërtetat e doktrinës katolike, që vihen në dukje në Dekretin Unitatis redintegratio. Papa nënvizoi rëndësinë e dokumenteve të studimeve, prodhuar nga dialogët e ndryshëm ekumenikë, duke pohuar se janë kontribute të Autoriteteve të Kishës, e cila duhet t’i vlerësojë përfundimisht. E kjo, sepse t’i regjistrosh këto arritje, që kanë të bëjnë me problemet e vështira të dialogut, pa vlerësimin e Autoriteteve kishtare, në fund të fundit, nuk do të ndihmonte aspak për ecjen në udhën e bashkimit të plotë në fe.
Për Benediktin XVI ka shumë rëndësi edhe të flasësh me një zë të vetëm për çështjet morale, që kanë të bëjnë me jetën njerëzore, me familjen, seksualitetin, bioetikën, lirinë, drejtësinë e paqen. Të flasësh jo me zërin tënd njerëzor, por me atë të Shkrimit Shenjt e të Traditës së Kishës, sepse, na kujton Papa: “Duke mbrojtur vlerat themelore të traditës së madhe të Kishës, mbrojmë njeriun, mbrojmë krijesën”.Prej këndej, Ati i Shenjtë uroi që Kongregata për Doktrinën e Fesë të bashkëpunojë ngushtë me Këshillin Papnor për nxitjen e bashkimit të të krishterëve, për t’i dhënë një shtytje të re rivendosjes së unitetit ndërmjet gjithë të krishterëve. Ndarja e të krishterëve është shkandull për botën, sepse i kundërvihet vetë vullnetit të Krishtit, përfundoi Papa, duke kujtuar se uniteti nuk është vetëm fryt i fesë, por edhe mjet e kusht i parë për t’ua kumtuar në mënyrë gjithnjë më të besueshme fenë, atyre që nuk e njohin ende Shëlbuesin e botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.