Dita e kujtesës kushtuar viktimave të Holokaustit: dëshmia e Piero Terraçinës.
Në përkujtim të 67-vjetorit të hapjes së portave të hekurta të Aushvicit nga Ushtria
e Kuqe, u kremtua sot Dita Ndërkombëtare e OKB-së kushtuar viktimave të shfarosjes
së hebrenjve nga nazistët gjermanë. Kremtime edhe në Itali, ku kjo Ditë festohet prej
12 vjetësh, për të nderuar viktimat e nazizmit, të fashizmit e të Shoah si dhe në
nderim të atyre që, duke rrezikuar jetën, i mbrojtën të përndjekurit. Kjo ditë
i kujton njerëzimit 12 milionë njerëzit e vdekur në kampet naziste të përqendrimit,
ndërmjet të cilëve, 6 milionë hebrenj. E ata që tregojnë sot, i rijetojnë çastet
kur pësuan tmerret e kampeve; kujtojnë humbjen e familjarëve, furrat krematore, torturat…
që njerëzit të mos e harrojnë një të kaluar, e cila nuk duhet të përsëritet. Sepse,
megjithatë e shikojmë të përsëritet, herë në një skaj të Planetit, herë në një tjetër.
Të mos harrojmë, prandaj, se Holokausti nuk është përrallë. Statistikat flasin, por
flasin edhe njerëzit, që shpëtuan gjallë, sepse pa fjalën e tyre, pa përkujtimin e
tyre, gjithë ai tmerr çnjerëzor do të tingëllonte si një tragjedi e pabesueshme, fryt
i një fantazie të shfrenuar makabre, e jo e vërtetë e historisë, e cila na fton që,
edhe kur i falim kriminelët, nuk duhet t’i harrojmë krimet! Por, të dëgjojmë Piero
Taerralçinën, ish-i internuar në Aushvic, ku humbi të gjithë familjarët, ndërsa
vetë shpëtoi mrekullisht, për t’u rikthyer në Itali, ku jetoi, vetëm për të treguar:
Përgjigje:
- Kur tregoj i rijetoj këto çaste. Jetoj tronditjen e tmerrshme, të patregueshme.
E megjithatë, tregoj, sepse është impenjim për gjithë ne, të mbijetuarit, që Primo
Levi na quajti “të mbytyrit”. Besoj se u duhet folur posaçërisht të rinjve, sepse
janë ardhmëria e njerëzimit e duhet ta dinë atë që ka ngjarë, duhet të besojnë! E
ky është edhe shpërblimi më i madh që pres nga rrëfimi im, sepse, më besoni lodhem
në shpirt, kur kujtoj…
Pyetje: - Sot ka njerëz, që nuk e besojnë
se ajo që po tregoni, ka ndodhur me të vërtetë… Përgjigje: - Shiko,
unë nuk mund të uroj të ngrihen përsëri kampet e përqendrimit, që mohonjësit e flijimit
tonë të nisin e të besojnë, pasi ta kenë provuar furrën, për të kuptuar ç’do të thotë
Aushvic. Tashti unë besoj plotësisht se ky soj njerëzish, në kohën kur ne torturoheshim
e digjeshim të gjallë, do të ishte përkrah xhelatëve, për të mos thënë se do të ishin
vetë xhelatët. Si mund të mohohet! Kur nisin të bërtasin gurët e varreve e të dëshmojë
hiri i të vdekurve?! Njerëzit e zhdukur e të grabitur? Prindërit tanë, që i pashë
të digjen në furrë, ndërsa u ktheva i vetëm, duke lënë pas hirin e gjithë familjarëve?
Prandaj flas. E do të vijoj të flas, derisa bota e tërë të besojë!