28 janar 1704 botimi i dokumenteve të Konçilit I të Arbëni
Më 28 janar të vitit të largët 1704 Kongregata e atëhershme e Vatikanit “Propaganda
Fide” (Propaganda e Fesë), sot Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve, miratonte botimin
e dokumenteve të Koncilit të I të Arbërit, apo mbledhjes së parë të klerit katolik
shqiptar, që u mbajt në fshatin Mërçi të qytetit të Lezhës. Kuvendi apo Koncili
i Arbërit që u mbajt në Kishën e Shën Gjonit të Merçisë, tri kilometra në veri të
Lezhës, nën drejtimin e Imzot Vinçenc Zmajeviçit, ishte me rëndësi të jashtëzakonshme
për fatet e Kishës katolike në trojet shqiptare e të gjuhës shqipe. Ishte data 14
janar e Kuvendi do të vijonte edhe të nesërmen. Më 28 janar të vitit të largët
1704 Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve, që njihej me emërtimin latin "Propaganda
Fide" miratonte botimin e dokumenteve të këtij Konçili. Askohe në fronin e
Shën Pjetrit ishte ulur Papa shqiptar, Kelmendi XI, i cili i pati kërkuar Imzot Vinçenc
Zmajeviçit, Kryeipeshkëv i Tivarit, të kryente vizitën kanonike në të gjitha kishat
dhe qendrat katolike të Shqipërisë. Pas vizitës, që e kreu brenda tre muajve; në dhjetor
1703, prelati mblodhi në Kuvend kryetarët e klerit: 5 ipeshkvijtë e dioqezave të vendit
dhe provincialin e françeskanëve. Në përfundim, vendimet e Koncilit, shkruar
në shqip e latinisht nga vetë Imzot Zmajeviçi, iu paraqitën për shqyrtim Papës dhe,
pas miratimit më 28 janar 1704, u botuan nga Propaganda Fide nën titullin "Kuvendi
i Arbnit o Koncili Provinciall i mbledhun Vjetit mijë shtaqind e tre ndenë Shqiptarin
Klementin XI papë Pretëmadhin". Imzot Zmajeviçi i përcillte dokumentet me letrën
që vijon, përmes së cilës shihet qartë se kleri shqiptar i qëndroi pranë në gaz e
në vaj popullit të vet dhe i parapriu rilindjes së tij kombëtare. Me që kanë kaluar
pothuajse mbi treqind vjet që kur u shkrua, u detyruam ta prekim paksa gjuhën e saj,
për ta bërë të kuptueshme për lexuesin: “Urdhnove, o i Lumtuni Atë, me të vizituem
Apostolik, të vërej mbi Kishat e Arbënisë së provinçës seme. Ju binda urdhënit; ju
solla dheut; kërkova rruzullimin; pashë plagët e tij. Pashë, - uh, ç'dhimbje, - vu
nën haraç atë që dikur kje despoti i Provincjave; (pashë) (Shypninë) Zonjën e gjindëve
ndrydhë nën thember, me dhimbje të idhta; shqytin e trimave – shembë; murin e forcës
sonë – rrenue! Pashë gjindt, hy në vend shenjt; kishat, të flligta; lterët përlye.
Mezi pashë vend ku të mundej populli me u mbledhë në kuvend! Pashë pleqtë tue ulurue;
Meshtarët, shërbëtorët e Hyjit, tue gjimue; çobantë, vra; dhentë tretë, tue u shpërnda
dy udhëve; murtajën, që pa mëshirë i çoroditëte të gjithë; e plasjen e mortaisun,
që trimnohej për të gjanë e për të gjatë. Këto pashë e gjimova! U përzien përmbrendcat
e mia prej dhimbe për popullin tem e m'u coptuen, tek shihshe mundimet e bijve që
po mbyteshin. Tue pamë këta, thashë, populli em u ba rob, përse s'pat dijen. Tue ankue
kaq të këqija e ngushtica të paudha, edhe mue më shtrëngoi ngushtica; por, për sa
paçë fuqi, nuk lashë ilaç pa përdorë. Nevoja e lypte me gjetë shtigje ma të mira se
vizita, as lente moti me e shtymë. Ndihma ma e madhe do të ishte mbledhja e Konçilit.
Këtu i përqëndrova fuqitë, këtu ngula mendtë, tue ia himë, pa rrenë, një pune ma të
randë se kishe fuqinë. Po Ai, që i ka ndihmue vëllazënt tanë, që ishin përdamë nëpër
rruzullim të Fesë, më ndihmoi edhe mue në këtë vend. As detyra që kam, si çoban i
shpirtnave, as kujdesi i fortë, që kam për të krishtenët e as mendët e mia të pa afta,
nuk do të mujshin me e krye një detyrë kaq të randë. Po Hyji, i cili ndërron motnat
e doket, që ep të rritunit e mbaron gjithë punët, Ai bani që një detyrë kaq e vështirë
të kryhej si pata dëshirue. Nën hije Tande, o i Lumtun Atë, po gëzon dheu Arbënesh
e mbas ndërrimit të motit ngrihet, sikur të kishte kenë i mbuluem me njegull, tashti
nën papën arbënesh, që latinisht don me thanë i bardhë – e del në dritë, e me zemër
të mirë shpejton me mërrijtë përsëri në lumni të shkueme. Mendja e Atit, e cila asht
ma e madhe se rrethi i shekullit, i uron me dashtëni të TinZot këtë lumni dheut tonë;
për t'iu falë nderës zemrës gazmuese, vijnë si për dhanti në shatorre Apostolike,
në katedër të dijes qiellore, Dekretet e Sinodit të Proviçjes Arbëneshe, në mënyrë
që, në paçin gabime, të qortohen me fjalë Tande. Unë, pra, në paça gabue si Prelat
Arbënesh, vij te magjisteri i Pjetrit me u qortue; e nuk më vjen marre me i kthye
ndryshe fjalët. Nuk kanë kurrfarë vlere veprat tona të errta; asgja nuk vlejnë Dekretet,
në se nuk mbështeten mbi Gurin e palëkundun; e si të jenë provue mbi gurin e fortë,
të forcohen me profeci të pushtetes sate. Pëlqe, pra, o i Lumtuni Atë, dhantitë
e nderimet e përvujta, sheje të Kombit tem, por ma fort tandit. E, n'e pashë se ndokund
puna duhet lëmue, godite e ndreqe me gjykimin e shenjtnueshëm e të pagabueshëm… Po,
sepse kështu këto pak të falna, që përkojnë me vobësinë tonë, me gjykimin e hyjnueshëm
pagabim kanë për t'u shumue fort. E ndërkaq unë, me vëllazën të mij të tjerë të Arbënisë…
lusim Hyjin t'ju ruejë Ju, Papën Arbënesh Pretmadhin, për shumë mot në Kishë e edhe
ne të na ruejë shëndosh pa kurrnjë të keqe… Shkrue në Perastti, ditën e dhetë të
korrikut, në vjetë të Krishtit njimië e shtatqint e tre. Marrë nga “Concilli i
ZÉUT ‘SCCIPNIIS” Bot. III N’Rom, me sctamp T’ Cuvenit S. T’ PROPOGANDS, 1878 – FQ
XI Po radhisim më poshtë klerikët që nënshkruan Koncilin e Parë të Shqipërisë,
mbajtur në Merqi në vitin 1703 nën kryesinë e Shkelqësisë së Tij, Imzot Vincenc
Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit: Imzot Vincenz Zmajeviq, arqipeshkëv i Tivarit,
Primat i Serbisë, Vizitator apostolik në Shqipni. Imzot Pjeter Karagjiku, arqipeshkëv
i emnuem i Shkupit. Imzot Gjergji, Ipeshkëv i Zadrimës. Imzot Nikollë Vladanji,
ipeshkëv i Lezhës. Imzot Ndue Babi, ipeshkëv i emnuem i Shkodrës. Imzot Marin
Gjini, ipeshkëv i zgjedhun i Pultit. Atë Fra Egjidi de Arsenta, Prefekt Apostolik
i Misioneve t'Arbënisë. Atë Fra Frano Maria a Lycio, Prefekt Apostolik i Misioneve
të Maqedonisë. Atë Fra Martini nga Gjonima (Gjonmi), i pari i Provinçes së Fretënve.