2012-01-26 16:22:51

Selia e Shenjtë ratifikon disa Konventa të OKB-së kundër kriminalitetit


Me vendim të Papës Benediktit XVI, Selia e Shenjtë e Shtet Qyteti i Vatikanit kanë ratifikuar dje disa Konventa të OKB-së kundër kriminalitetit e trafikut të paligjshëm të substancave narkotike. Fjala është për Konventën ndërkombëtare mbi luftën kundër financimit të terrorizmit, nënshkruar më 9 dhjetor 1999 në Nju Jork, për Konventën kundër krimit të organizuar transkombëtar, nënshkruar më 15 nëntor 2000 në Palermo 2000, si edhe për Konventën kundër trafikut të paligjshëm të drogës dhe të substancave psikotrope nënshkruar më 20 dhjetor 1988 në Vjenë. Kështu bënë të ditur Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë duke nënvizuar se dje në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Ju Jork, kryeipeshkvi Francis Assisi Chullikar, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë, ka depozituar instrumentin e ratifikimit të Konvetës së parë e atë të aderimit në dy tjerat.
“Ky hap – nënvizon në notën shpjeguese e Sekretarit të Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Dominik Mambertì – tregon vlerësimin e Selisë së Shenjtë për impenjimin e bashkësisë së shteteve në parandalimin e luftën kundër veprimtarive të rënda kriminale transkombëtare, me aktualitet tragjik, përmes mjeteve të përshtatshme të bashkëpunimit ndërkombëtar”. Prelati i lartë i Vatikanit citon Letrën Apostolike të Benediktit XVI, në formën e “Motu Proprio”, për parandalimin dhe kundërshtimin e veprimtarive të paligjshme në fushën financiare dhe monetare.
Imzot Mambertì thekson se këto ratifikime e bëjnë edhe më rigoroz Ligjin ekzistues në Vatikan kundër pastrimit të parave, që vijnë nga veprimtaritë e krimit të organizuar dhe kundër financimit të terrorizmit, duke ofruar mjetet e bashkëpunimit me shtetet e tjera në nivel ndërkombëtar.
Në fund, imzot Mambertì nënvizon se bashkëpunime të tilla ndërkombëtare do të ishte mirë të vendoseshin edhe për të luftuar persekutimin fetar e mosrespektimin e lirisë fetare të çdo njeriu, kudo në botë.







All the contents on this site are copyrighted ©.