2012-01-26 14:40:22

Protesta në Rumani kundër shtrenjtësisë së jetesës. Imzot Robu, kryeipeshkëv i Bukureshtit: “T’i jepet fund krizës morale”.


Në Rumani vijojnë protestat e përditshme kundër shtrenjtësisë së jetesës. Sheshet e të gjitha qyteteve, duke përfshirë edhe Bukureshtin, pushtohen çdo ditë nga mijëra manifestues, të cilët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, kryesuar nga kryeministri Emil Boc. Në qendër të vëmendjes së protestave, që çuan në dorëheqjen e ministrit të jashtëm, Teodor Bakonski, politika fiskale e ekzekutivit dhe varfëria e madhe, që vijon të përhapet në të gjithë vendin. Por, të dëgjojmë kryeipeshkvin e Bukureshtit, imzot Joan Robu:

Përgjigje: - Duke gjykuar sipas parrullave të manifestuesve, që bërtasin me sa zë që kanë, mund të themi se arsyet e protestave janë korrupsioni e varfëria, paaftësia e qeveritarëve, tërbimi i njerëzve të ngopur me fjalë, me premtime, me gënjeshtra, me propagandën e partisë në pushtet, me padrejtësitë e shkaktuara nga shtimi i taksave, që duhen paguar, e me shpërdorimet e tjera të papranueshme të atyre, që e shikojnë gjendjen nga froni qeveritar.

Pyetje: - Shkëlqesi, ç’mund të na thoni për gjendjen ekonomike të Rumanisë sot? A solli ndonjë përmirësim të nivelit të jetesës, hyrja në Bashkimin Evropian, apo s’ mund të flitet për kurrfarë ndryshimi?

Përgjigje: - Do të thosha se gjendja ekonomike është në fazën e tranzicionit, pa cak të qartë e pa urtinë që duhet të kenë qeveritarët, për të siguruar të mirën e përbashkët. Njerëzit nuk mund të durojnë më mbi kokë, qeveritarë, që shikojnë vetëm interesat e tyre e jo të mirën e popullit. Ka pasur një farë përmirësimi pas hyrjes në Bashkimin Evropian, por nga kjo situatë përfituan shumë pak njerëz. Shumica e familjeve jetojnë në varfëri.

Pyetje: - Një situatë e tillë e vështirë, është tipike për vendet, që dolën nga ish-blloku komunist. Vende prej nga buron emigracioni drejt Perëndimit. Vijon ikja nga Rumania, apo gjendja ka ndryshyar?

Përgjigje: - Kjo situatë ka ndikime mjaft të rënda: familjet janë ndarë, fëmijët rriten pa nënë ose pa baba e shpesh, edhe pa të dy prindërit. Megjithatë duhet thënë se emigrimi ka edhe anën e vet pozitive, sepse pala që punon jashtë, ndihmon palën, që ka mbetur në vend. Ndërkaq Rumania po mbetet pa krahë pune. Nisen të gjithë jashtë, sepse këtu ka pak vende pune e paga është tepër e ultë. Njerëzit kanë të drejtë të kërkojnë pagë më të mirë. Edhe pse jashtë vendit u duhet të përballojnë shumë poshtërime e të jetojnë në kushte që, për fat të keq, janë ato që janë.
Pa harruar se edhe Rumania është përfshirë nga kriza ekonomike, nga kriza morale, e edhe nga kriza fetare, nga e cila burojnë një mori të këqijash, që ndikojnë si mbi ekonominë, ashtu edhe mbi jetën shoqërore. Pa folur për shekullarizimin që e ka prekur thellë vendin, në një kohë shumë të shkurtër. E këto sulme, tejet të forta, vijojnë.









All the contents on this site are copyrighted ©.