Papa anëtarëve të tri seminareve italiane: në Kishë, ndihet më shumë se kurrë, nevoja
për dëshmitarë të besueshëm të Krishtit
“E fortë më shumë se kurrë, ndihet në të gjithë Kishën, ashtu si në rajonet tuaja
të veçanta, nevoja e punëtorëve të Ungjillit, dëshmitarë të besueshëm e promovues
të shenjtërisë me jetën personale”. Kështu u tha Papa seminaristëve dhe eprorëve të
tri seminareve italiane të Umbries, Kampanies dhe Kalabrisë, të cilët i priti në audiencë
në Vatikan, me rastin e 100-vjetorit të themelimit.
Seminaret rajonale kanë
lindur në vitin 1912, në sajë të Papëve si shën Piu X dhe Leoni XIII, ndërsa drejtimi
i tyre u është besuar jezuitëve. Benedikti XVI kujtoi se territoret nga vijnë seminaristët,
janë të pasura me përshpirtëri e me shembullin e shenjtorëve, që aty janë lindur,
ose kanë vepruar, por sot, ndodhen në vështirësi jo të pakta shoqërore. Umbria, për
shembull, nënvizoi Ati i Shenjtë, është atdheu i shën Françeskut e i shën Benediktit,
vend shtegtimesh të shumta:
“Në të njëjtën kohë, ky rajon i vogël vuan si
e më shumë se të tjerët krizën ekonomike. Në Kampania e në Kalabri, entuziazmi i Kishës
lokale, i ushqyer nga ndjenjat fetare akoma të gjalla, falë traditave e devocioneve,
duhet të kthehet në ungjillëzim të ri. Në ato toka, dëshmia e bashkësive kishtare
duhet të ketë parasysh emergjencat e mëdha shoqërore e kulturore, si mungesën e punës,
sidomos për të rinjtë, ose fenomenin e kriminalitetit të organizuar”.
Prandaj,
vazhdoi Papa, gjendja e sotme, edhe ajo kulturore, u kërkon meshtarëve të ardhshëm
një përgatitje të qëndrueshme filozofiko-teologjike. “Nuk është fjala vetëm të mësohen
gjërat - shpjegoi Benedikti XVI, duke cituar Letrën drejtuar Seminaristëve, në përfundim
të Vitit Meshtarak – por të njihet e të kuptohet struktura e brendshme e fesë, në
tërësinë e saj, që nuk është shumë tezash, por një organizëm, një këndvështrim organik,
për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të njerëzve”. Është e domosdoshme edhe lidhja ndërmjet
studimit të teologjisë e lutjes, ndërmjet shërbimit dhe jetës shpirtërore të meshtarit.
E Papa foli për ekuilibrin e drejtë ndërmjet zemrës e trurit, ndërmjet arsyes e ndjenjave,
ndërmjet trupit e shpirtit, për integritetin njerëzor të meshtarit:
“Janë
këto arsyet, që shtyjnë të tregohet shumë kujdes ndaj përmasës njerëzore të formimit
të kandidatëve për meshtarë. Vërtet, paraqitemi para Zotit me humanitetin tonë, për
të qenë para vëllezërve, njerëz të vërtetë të Hyjit. Siç i shkruan shën Pali nxënësit
të vet, Timoteut, “kush dëshiron të bëhet meshtar, duhet të jetë sidomos njeri i Zotit”.
Prandaj, gjëja më e rëndësishme në udhën drejt meshtarisë e gjatë gjithë jetës meshtarake
është raporti personal me Hyjin, në Jezu Krishtin”.
Benedikti XVI kujtoi
fjalët e Papës së Lum Gjoni XXIII, thënë 50 vjet pas themelimit të Seminarit Kampan:
“Më parë se meshtarë të mësuar, të gojës e të mirëinformuar, na duhen meshtarë të
shenjtë e shenjtërues”. Në fund, Papa Racinger përsëriti të njëjtin urim:
“Këto
fjalë tingëllojnë akoma aktuale, sepse e fortë më shumë se kurrë, është në të gjithë
Kishën, ashtu si në rajonet e veçanta të prejardhjes suaj, nevoja e punëtorëve të
Ungjillit, dëshmitarë të besueshëm e promovues të shenjtërisë me jetën e tyre personale.
Dhashtë Zoti që secili prej jush t’i përgjigjet kësaj thirrjeje”.