2012-01-26 12:48:55

Me 26 janar kalendari përkujton shën Timoteun e Titin, dishepuj të shën Palit


Shenjtorët Timoteu e Titi, të dy dishepuj e bashkëpunëtorë të Shën Palit, u caktuan prej tij porsi barinj e udhëheqës të bashkësive të krishtera: i pari në udhëheqje të Kishës së Efezit dhe i dyti, në atë të Kretës. Pra, shenjtorët Timoteu e Titi janë fryt i predikimit dhe i veprimtarisë së Apostullit të Popujve. Ishte pikërisht Pali ai që i ndihmoi të ktheheshin në udhën e Krishtit, ai që i ushqeu me dashuri kristiane e atërore e që i bëri dy fanarë të ndritshëm për njerëzimin.
Pali u takua për herë të parë me Timoteun, ende djalosh i ri, në Listri: ai ishte bir i një babai pagan e i një nëne hebreo-kristiane me emër Euriçe, dishepulle e Palit dhe bashkëpunëtore e tij. Timoteu, i edukuar në frymën e Shkrimit Shenjt, duke dëgjuar fjalët e Apostullit për Jezusin e duke parë veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme, u kthye në fe të Krishtit dhe u pagëzua nga vetë Pali, i cili më pas e mori me vete. E gjithë jeta e Timoteut do të lidhej ngushtë me atë të Palit Apostull, për të cilin do të bëhej bir, bashkëpunëtor, shok udhe, mik, trashëgimtar. Pas martirizimit të Shën Palit, Timoteu vijoi të kryesonte Kishën e Efezit deri në vitin 97 kur, sipas traditës, vdiq në kulmin e veprimtarisë baritore. Timoteu pra, qe dishepull e bashkëpunëtor i shën Palit e nga ai u vendos në udhëheqje të bashkësisë kishtare të Efezit.
Titi lindi prej prindërve grekë, akoma paganë. U pagëzua nga Apostulli, i cili e përcolli në Koncilin e Jerusalemit. Më vonë e gjejmë në Kretë, në Maqedoní, në Romë e Dalmací. Njoftimin e fundit për të na e jep Shën Pali pak para se të martirizohej: “Titi është në Dalmaci”. Nuk kemi më asnjë njoftim tjetër. Titi pra, qe shokë i shën Palit në veprimtarinë misionare qe prej tij vendos në udhëheqje të Kishës së Kretës, ndër shërbimet e para të Kishës.
Kujtojmë se këtyre dy dishepujve, Shën Pali u drejtoi tri letra apostolike me përmbajtje baritore. Janë të vetmet letra të Shkrimit Shenjt drejtuar një individi, të pasura me hollësi nga jeta e Apostullit që, tashmë i plakur, gëzohet se lë pas dy bij në Krishtin, për të vijuar misionin e ungjillëzimit. Përmes dy Shenjtorëve Pali mundi të mishëronte atë, që është zemra e predikimit të tij: feja në Krishtin e çliron njeriun nga ligji, ndonëse shëlbimi vjen nga judenjtë, nga fisi i Davidit. Ajo që ka vërtetë rëndësi, është ndërgjegjja e pastër dhe besimi i patundur në Zotin, i mishëruar në jetën e përditshme përmes veprave të mira.







All the contents on this site are copyrighted ©.