Sloveni Zbogar emërohet përfaqësues i posaçëm i BE-së në Kosovë
Ish-ministri i Jashtëm slloven Samuel Zbogar është përfaqësuesi ri i posaçëm i BE-së
në Kosovë. Kështu ka vendosur sot Këshilli evropian, duke kujtuar në një deklaratë
se, më 21 dhjetorin e kaluar, Zbogar u emërua ambasador i BE-së në Prishtinë. Në saje
të ‘detyrës së dyfishtë’, si përfaqësues i Komisionit dhe i Këshillit, “prania e BE-së
në Kosovë do të përforcohet dukshëm”. Në rolin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit
Evropian, ish kreu i diplomacisë së Lubjanës, do të duhet të punojë “për promovimin
e një Kosova të qëndrueshme, demokratike, paqësore e shumetnike, duke kontribuar në
njëjtën kohë edhe në stabilitetin e bashkëpunimin rajonal në Ballkanin perëndimor. Ministria
e Punëve të Jashtme të Shqipërisë përshëndet emërimin e ish-ministrit të jashtëm slloven,
Samuel Zbogar në detyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë,
i cili do të jetë njëkohësisht edhe Kreu i Zyrës së BE-së në Kosovë. Nëpërmjet
një njoftimi për shtyp, MPJ thekson se "emërimi i zotit Zbogar në këto dy pozicione,
rikonfimon angazhimin e madh dhe shumë të rëndësishëm të Bashkimit Evropian në Kosovë,
por edhe perspektivën e pakthyeshme evropiane të Kosovës dhe të të gjithë qytetarëve
të saj". "Ne jemi të bindur se Qeveria e Kosovës dhe të gjitha autoritetet shtetërore
kosovare do të ofrojnë të gjithë mbështetjen e bashkëpunimin e pakursyer për realizimin
e suksesshëm të misionit të Përfaqësuesit të Posaçëm dhe të Kreut të Zyrës së BE në
Kosovë, për përparimin e agjendës evropiane të Kosovës, për kurorëzimin e suksesshëm
të dialogut për liberalizimin e vizave, si dhe për konsolidimin e Kosovës si një vend
demokratik multietnik, që jeton në paqe e harmoni në fqinjësinë e vet rajonale", thuhet
në deklaratën për mediat. Duke vlerësuar se eksperienca e pasur, vokacioni personal
dhe njohja e mirë e rajonit e bëjnë kandidaturën e zotit Zbogar një zgjedhje të shkëlqyer
për një mision kaq të rëndësishëm, MPJ në emër të Qeverisë Shqiptare e siguron zotin
Zbogar për bashkëpunimin e hapur e të plotë në realizimin e misionit të tij, dhe i
uron suksese në sfidat që e presin përpara.