2012-01-25 12:54:18

Papa: bashkimi i të krishterëve është një synim praktik e konkret


“Bashkimi i të krishterëve nga njëra anë është realitet i fshehtë që ekziston në zemër të njerëzve besimtarë, por në të njëjtën kohë duhet të shfaqet me qartësi në histori në mënyrë që bota të beson” në Hyjin. Kështu tha mes tjerash Papa gjatë audiencës së përgjithshme mbajtur sot para shtegtarëve e besimtarëve të ardhur nga mbarë bota në sallën e Palit VI në Vatikan. Në katekizmin e sotëm Benedikti XVI ilustroi “lutjen meshtarake “ të Jezusit në çastin e mundimeve, ashtu siç tregohet në ungjijtë.
Kisha këtyre ditëve kremton Javën e lutjes për bashkimin e të krishterëve, e për ta mbyllur Benedikti XVI sot pasdite do të shkojë në bazilikën e shën Palit në Romë për lutjen ekumenike të mbrëmësores së dytë të festës së kthimit të shën Palit Apostull, që kremtohet sot.
Bashkimi i të krishterëve “është një synim praktik e konkret duke qenë bashkim me Jezusin të cilin Ati e ka dërguar në botë”, e lutja e Jezusit “është edhe burim i mirëfilltë i misionit të të krishterëve në botë”. Kisha, shtoi Papa nuk është gjë tjetër përveç se “bashkësi dishepujsh që përmes fesë në Krishtin si i dërguar i Atit Qiellor e merr bashkimin e vet dhe bëhet pjesë e vet misionit të tij për shpëtimin e botës”. Kisha pra është “vend ku vazhdon vet misioni i Krishtit, ai i udhëheqjes së njeriut drejt njohjes dhe takimit me Zotin, jashtë e larg mëkatit, që bota të kthehet e të jetë botë e Zotit”.
Benedikti XVI i ftoi besimtarët t’i lutën Hyjit në mënyrë që, tha: “Krishti të na mëson të lutemi e të na udhëheqë në dialogun me Hyjin”, e t’i kërkojmë “Zotit të na ndihmojë të hyjmë në mënyrë më të plotë në planin Ai ka për çdonjërin prej nesh”. Lutja, bëri thirrje Papa, të mos jetë vetëm “për të kërkuar ndihmë për problemet to na”, por të na bëjë të aftë të “hapemi ndaj përmasës së botës”, e “të ndërmjetësojë për të tjerët”.







All the contents on this site are copyrighted ©.