2012-01-25 15:24:02

Mesazhi i Papës për Ditën Misionare Botërore: Kisha t’i bëjë njerëzit të rizbulojnë gëzimin e besimit në Zotin


50 vjet pas Koncilit II të Vatikanit, Kisha Katolike duhet të rigjejë urgjentisht entuziazmin e bashkësive të para të krishtera, të cilat, megjithëse të vogla e të pambrojtura, qenë në gjendje ta përhapin Ungjillin në gjithë botën. Kështu shkruan Papa Benedikti XVI në Mesazhin për Ditën Misionare Botërore 2012, që u bë i njohur sot. Misioni “ad gentes”, nënvizon Ati i Shenjtë, duhet të jetë horizonti i vazhdueshëm i çdo veprimtarie të Kishës e burim i bamirësisë dhe i dashurisë së saj.

Në kohën kur vendet e varfëra të jugut të planetit dhe një pjesë e atyre të lindjes, etiketoheshin, pa u menduar shumë, si “Bota e Tretë”, ipeshkvijtë e rinj të atyre Kishave mbërrinin në Romë, duke sjellë me vete një dëshmi të apasionuar: u tregonin të gjithëve se ç’do të thoshte të ishe ungjillëzues, duke qenë pakicë, ose bashkësi pa asnjë mjet në dispozicion. Benedikti XVI niset nga ky kuadër i Koncilit II të Vatikanit - ku mori pjesë si meshtar – për të thënë se pikërisht ajo përvojë e Kishave të reja, në formim e sipër, sjellë në Qytetin e Amshuar nga prelatët e Afrikës e të Amerikës Latine, të Azisë e të Oqeanisë, kontribuoi dukshëm për të ripohuar nevojën dhe urgjencën e ungjillëzimit “ad gentes”. 50 vjet pas Koncilit, ky këndvështrim është gjithnjë aktual, madje, ka nxitur një reflektim të pasur teologjik e baritor, duke u konsideruar si përparësi nga të gjithë Papët. Megjithatë, sqaron Benedikti XVI, mandati misionar i Krishtit, besuar më parë Apostujve e sot ipeshkvijve, duhet të përfshijë gjithë veprimtarinë e Kishës, nga famullitë tek institucionet fetare, nga lëvizjet kishtare tek të krishterët e veçantë. Prandaj, si planet baritore, ashtu edhe organizimi dioqezan, duhet t’i përshtaten jetës së Kishës, rrënjosur në të përditshmen e një bote në ndryshim të vazhdueshëm e në pjesën më të madhe, jo vetëm në perëndim, në krizë feje.

Këtë vit, nënvizon Benedikti XVI në Mesazhin për Ditën Misionare Botërore, Kisha Katolike do të reflektojë mbi aspektet e ndryshme të kësaj teme, me kremtimin e Vitit të Fesë dhe të Sinodit të Ipeshkvijve për ungjillëzimin e ri. Qofshin, uron Papa, “raste për t’i dhënë hov të ri bashkëpunimit misionar”. E duke reflektuar për marrëdhëniet ndërmjet fesë e detyrës së komunikimit të saj, Ati i Shenjtë kërkon sërish “entuziazëm”, për t’i bërë njerëzit të rizbulojnë gëzimin e besimit në Zot, sidomos në ato vende, që e njohin Ungjillin prej shekujsh, por që po humbasin pikat e referimit në Hyjin. Shqetësimi për ungjillëzimin e popujve, nuk duhet të mbetet kurrë në plan të dytë në veprimtaritë kishtare dhe në jetën personale të çdo të krishteri.

E pasioni për Ungjillin duhet të shoqërohet gjithnjë me bamirësinë e dashurinë e krishterë, nënvizon Papa. Shpallja e Lajmit të Mirë kthehet në “ndihmë për të afërmin, drejtësi për të varfërit, mundësi arsimimi edhe në fshatrat më të humbura, asistencë mjekësore në vende të largëta, dalje nga mjerimi, integrim në shoqëri për të mënjanuarit, mbështetje për zhvillimin e popujve, kapërcim i ndarjeve etnike, respekt për jetën në çdo fazë të saj”. Duke falenderuar apostujt e sotëm – meshtarë, rregulltarë e laikë – e në veçanti, Veprat Papnore Misionare për përkushtimin e tyre, Benedikti XVI e drejton vështrimin e Kishës mbi një model, që s’perëndon kurrë, atë të dymijë vjetëve më parë. Kemi nevojë, thekson Papa, “të rigjejmë të njëjtin hov apostolik të bashkësive të para të krishtera, të cilat, të vogla e të pambrojtura, qenë të afta, përmes shpalljes e dëshmisë, ta përhapin Ungjillin në gjithë botën, që njihej deri atëherë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.