Me 25 janar Kishta kremton Kthimin e Shën Palit Apostull
Festa liturgjike e “Kthimit të Shën Palit” nis të përkujtohet që nga shekulli VI,
ndërsa festa e martirizimit të Apostullit të popujve përkujtohet më 29 qershor. Me
këtë festë, që hyn në kalendarin Romak nga fundi i shekullit X, përfundon simbolikisht
Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve, duke na kujtuar se nuk mund të ketë
ekumenizëm të vërtetë, pa kthesë të vërtetë te Jezu Krishti.
Festa e sotme
na krijon mundësinë ta njohim nga afër figurën shumëdimensionale të Palit Apostull,
i cili për veten shkroi: “Kam punuar më shumë se të gjithë apostujt tjerë” si dhe
“Unë jam më i vogli ndërmjet apostujve, një dështak, i padenjë për t’u thirrur apostull”.
E
pikërisht këto fjalë që shkruan për vetveten, Palit i japin plotësisht të drejtën
të drejtën të quhet Apostull: ai ka parë Zotin, Krishtin e Ngjallur e për këtë arsye,
është dëshmitar i ngjalljes; ai është dërguar drejtpërdrejtë nga Krishti, ashtu si
të Dymbëdhjetët. Ai i ka tri cilësitë: vegimin, thirrjen dhe misionin, nga të cilat
buron mrekullia e atij hiri Hyjnor që pati në rrugën e Damaskut, ku Krishti e bëri
të kapitullojë pa kushte dhe i dha hirin të bëhet Apostull i Tij. Në vegim, Pali e
pyet Krishtit: “Kush je to, o Zot?” dhe merr përgjigjen “Unë jam Jezu Krishti, që
ti e persekuton”. E vërtetë, Pali bën ndryshim, kthesë në jetën e tij duke hequr dorë
nga jeta e mëparshme e duke filluar një jetë të re në dhe me Krishtin.
Kthimi
i Shën Palit, që në rrugën e Damaskut shitohet prej dritës së Krishtit të Kryqëzuar,
të cilin ai, Sauli farize i bindur, e persekutonte në korpin mistik, vë në dukje në
mënyrë të bindshme fuqinë e hirit të Zotit që e rrëzon përdhé Saulin dhe në të e ngjall
personin e ri të rilindur nga feja, Palin, i cili nga armiku i përbetuar i Shëlbuesit,
shndërrohet e bëhet misionari i zellshëm i Ungjillit, në apostullin e popujve, në
dëshmimin e fesë në Krishtit me fjalë e me vepra, me jetë e deri me vdekje.
Udha
e Damaskut, ku ndodhi kthimi i Shën Palit, është me rëndësi të dorës së parë për të
kuptuar lidhjen mistike që e bashkon Krishtin me Kishën. Sauli, Apostulli i ardhshëm
nuk u kthye, ashtu si të tjerët, në takim me bashkësinë e krishterë, të cilën ai madje
e persekutoi. U kthye me nismën e vetë Krishtit, që iu duk si i persekutuar. Shën
Pali u kthye njëkohësisht tek Krishti e tek Kisha.
Kështu arriti tek përkufizimi
origjinal i Kishës si Korpi i Krishtit, të cilin nuk e gjejmë tek autorët e tjerë
të krishterë të shekullit të parë. Rrënjën më të thellë të këtij përkufizimi mahnitës
të Kishës e gjejmë tek Sakramenti i Korpit të Krishtit. Thotë Shën Pali: “Duke qenë
një bukë e vetme, ne, megjithëse shumë, jemi një trup i vetëm”.
Prandaj Apostulli
i Popujve nuk i deshi bashkësitë Kishtare që themeloi, të ftohta e burokratike, por
plot ndjenjë feje e pasion, sepse i konsideronte si shtrirje të pranisë personale
të Krishtit në botë. Themelonte, kështu, një Kishë të Krishtit të përbërë nga gjymtyrë
të bashkuara e njëkohësisht të dalluara, të cilave u printe fryma e Shpirtit Shenjt.
Natyrisht
të nënvizosh kërkesën e unitetit nuk do të thotë se duhet rrafshuar ose sheshuar jeta
kishtare sipas një mënyre të vetme veprimi.
Gjetiu Pali Apostull mëson të
mos shuhet Shpirti, domethënë të krijohet hapësira për gjallërinë e pabesueshme të
shfaqjeve karizmatike të Shpirtit Shenjt Zot, që është burim energjie e gjallërie
përherë të re. Kemi të bëjmë, pra, me një bashkim si vertikal, ndërmjet Jezusit e
besimtarëve, ashtu edhe horizontal, ndërmjet të gjithë atyre që luten në emër të Zotit
tonë Jezu Krishtit. Bashkësitë e Mbledhjet tona liturgjike – porosiste Apostulli -
duhet të jenë të tilla, sa ta shtyjnë njeriun që, pa qenë i krishterë, merr pjesë
ndër to, të thotë në fund me bindje: “Zoti është me ju!”. Kuptohet lehtë prandaj sa
e madhe është dëshira e Kishës katolike për ta realizuar atë që uron Shën Pali.