2012-01-25 19:09:06

Kardinali Koh për bashkimin e të krishterëve: ekumenizmi ka nevojë për lutjen, që të mos e humbasë shpirtin e tij.


Të mërkurën e kaluar, me një kremtim solemn në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, u mbyll Java e Lutjes për Bashkimin e të krishterëve.
Benedikti XVI kryesoi kremtimin e Lutjeve të dyta Mbrëmësore të festës liturgjike të Kthimit të Shën Palit. Ishte një takim tradicional, me vlera të mëdha ekumenike, në të cilin morën pjesë delegacione të shumta të Kishave ortodokse e protestante.
Për Javën e Lutjes dhe marrëdhëniet ekumenike, i kërkuam një reflektim kardinalit Kurt Koh, kryetar i dikasterit vatikanas për bashkimin e të krishterëve:
Përgjigje: - Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve është pikërisht zanafilla e lëvizjes ekumenike. Që nga fillimi, u miratua dhe u mbështet nga Papët, duke nisur nga Leoni XIII e Benedikti XV. Këtë fillesë të lëvizjes ekumenike nuk mund e nuk duhet ta harrojmë. Përkundrazi, duhet të na shoqërojë gjithnjë, sepse lutja për unitetin është themeli i ekumenizmit. Koncili II i Vatikanit flet për shpirtin e lëvizjes ekumenike: në se lëvizja ekumenike nuk dëshiron ta humbasë shpirtin e saj, duhet të takohet vazhdimisht në lutje. Përmes lutjes dëshmojmë se nuk jemi ne, qenie të brishta njerëzore, që e krijojmë bashkimin: madje nuk jemi as në gjendje të parashikojmë si do të jetë ky bashkim e kur do të realizohet. Por ndërkaq dimë se duhet t’i shkrijmë të gjitha aftësitë tona e t’ia hapim zemrat Shpirtit Shenjt, sepse është Shpirti i Zotit ai, që e dëshiron këtë bashkim, e po ai, që do të na e dhurojë.

Pyetje: - Cilat janë sfidat që duhet të përballojë ekumenizmi sot?

Përgjigje: - Në vitet dhe në dhjetëvjeçarët e fundit, e kemi humbur paksa nga sytë qëllimin e lëvizjes ekumenike. Kishat e bashkësitë kishtare nuk po ecin më drejt të njëjtit cak: besoj se sot është e nevojshme të kthehemi, të reflektojmë e të pyesim përsëri, cilat janë realisht objektivat tona. Për ne, katolikët, ashtu si edhe për ortodoksët, qëllimi i fundmë është bashkimi i plotë në fe, në Sakramentet e në shërbimet e Kishës. Uniteti është kërkesë, që buron nge vetë Zemra e Krishtit. Ai u lut që të gjithë të jenë Një, për të besuar bota. Prandaj ekumenizmi nuk ka rrugë të tjera, veç asaj të bashkimit të plotë.

Pyetje: - Këto ditë Papa nënvizoi disa herë vlerën e madhe të kësaj Jave të Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve….

Përgjigje: - Ati i Shenjtë mbajti qëndrim shumë të qartë lidhur me këtë: më 18 janarin e kaluar, në audiencën e pëgjithshme të së mërkurës, kushtuar plotësisht këtij argumenti, e po ashtu edhe të dielën që pasoi, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, ritheksoi me forcë temën e sivjetme të Javës së Lutjes dhe nënvizoi se të gjithë do të shndërrohemi përmes fitores së Jezu Krishtit, Zotit tonë. Kujtoi edhe se ne mund të arrijmë me të vërtetë në cakun e bashkimit të plotë, vetëm në se e lëmë Zotin të veprojë. Uniteti i dukshëm i gjithë të krishterëve, shtoi, është përherë vepër, që vjen nga lart, nga Zoti. Është vepër, që kërkon përvujtëri, kërkon njohjen e ligështive tona e pranimin e dhuratës së Zotit. Foli për ekumenizmin, duke e parë gati-gati si kthim të të gjithëve në Krishtin.







All the contents on this site are copyrighted ©.