Takim i delegacionit të OSBE-së në Vatikan. Intervistë me kryetarin, Petros Efthymiou
Në dhjetëvjeçarët e kaluar, Evropa e ka bazuar zhvillimin dhe mbrojtjen e vet, duke
pasur parasysh marrëdhëniet me Amerikën e duke e lënë mënjanë Azinë. Por gjendja ka
ndryshuar e aktualisht, Evropa duhet të marrë vendime, që përfshijnë edhe kontinentin
aziatik. Kjo është bindja e kryetarit të asamblesë parlamentare të OSBE-së (Organizatës
për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë), Petros Efthymiou, i cili dje ishte në Vatikan,
së bashku me një delegacion nga kjo organizatë. Pas takimeve me Sekretarin për Marrëdhëniet
me Shtetet, imzot Dominik Mamberti dhe me kreun e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar,
kardinalin Zhan Lyi Turan, e ftuam në mikrofonin tonë: Përsa i përket OSBE-së,
njerëzit kujtojnë rolin që ka pasur në të kaluarën, por nuk e njohin rolin e saj sot
e aq më pak, në të ardhmen. Ne kemi një të kaluar të lavdishme, pasi falë infrastrukturave
të OSBE-së, Evropa Lindore është shndërruar nga regjimi totalitarist në demokraci
moderne. Kjo u realizua sidomos në sajë të OSBE-së. Tani, organizata ndodhet para
një ardhmërie të rëndësishme. Në Evropë nuk ka siguri. Ka siguri nëpërmjet Paktit
të Atlantikut, NATO-s e Bashkimit Evropian, por nuk kemi një përmasë euroaziatike
për sigurinë. Nga Viena në Kazakistan nuk ka asgjë. OSBE-ja është i vetmi mjet në
dispozicion për të punuar së bashku: SHBA-të me Rusinë, Evropa perëndimore me lindoren,
për të ndërtuar një platformë për paqen, stabilitetin e bashkëpunimin. Papa
Benedikti XVI ka theksuar shpesh se liria fetare është e para, ndër të drejtat e njeriut.
Cilat janë marrëdhëniet e OSBE-së me Selinë e Shenjtë? Na flisni pak për të drejtat
e pakicave, sidomos të pakicave fetare… Takimi ynë me imzot Mambertì, më duket
se ishte shumë i dobishëm, i qartë e i frytshëm. Në njëfarë kuptimi, Selia e Shenjtë
është një lloj gjeneratori idesh për OSBE-në, burim vlerash e parimesh. Përfaqëson
edhe një faktor qëndrueshmërie. Në asamblenë tonë në Oslo, kemi votuar një rezolutë
për lirinë fetare, me të cilën, besoj se jemi plotësisht në harmoni me qëndrimet bazë
të Selisë së Shenjtë. Kemi miratuar edhe një rezolutë për dialogun e respektin ndërmjet
feve. Kjo është baza e paqes dhe e qëndrueshmërisë në shoqëritë tona, ku ka përpjekje
për t’i përdorur fetë për arsye politike.