2012-01-24 16:34:10

Nesër në Romë kremtimi ekumenik i Papës në Bazilikën e shën Palit


Nesër, më 25 janar, Papa Benedikti XVI do të shkojë në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës për kremtimin tradicional të Lutjes së Mbërësores së Dytë të solemnitetit të festës së Kthimit të Shën Palit, Apostull, në përfundimin e Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve që sivjet pat si temë: ‘Të gjithë do të shndërrohemi nga fitorja e Jezu Krishtit, Zoti tonë (krh 1 Kor 15,51-58)’.
Të dielën e kaluar gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot Papa theksoi se Jemi të ftuar të kundrojmë fitoren e Krishtit mbi mëkat e mbi vdekje, çka do të thotë ngjalljen e tij, si një ngjarje që transformon rrënjësisht ata që besojnë në Të e atyre u hap udhën e një jete që nuk prishet e cila është e pavdekshme”.
E në dritën e Letrës së parë të Shën Palit drejtuar Korintianëve, Kisha na fton të gjithë të reflektojnë mbi faktin se Kisha nuk është një organizëm uniform. Apostulli i Popujve e krahason atë me trupin e njeriut, që “është një i vetëm, por ka shumë gjymtyrë”. Prandaj, Kisha paraqitet si një organizëm i pasur e jetësor, fryt i një Shpirti të vetëm, që i udhëheq të gjithë besimtarët drejt bashkimit të thellë. Kisha përmban në vetevete karizma të ndryshme, duke krijuar gjithsesi një bashkësi të harmonishme, që zgjat në histori praninë e Zotit të Gjallë. Këtu qëndron shenjtëria e saj.
Sipas Papës Bemediktit XVI “është pikërisht në Krishtin e në Shpirtin e Hyjit, që Kisha është një dhe e shenjtë, pra një bashkim intim, që shkon përtej aftësive njerëzore dhe i mbështet ato”.
Këto reflektime kanë rëndësi të veçantë pikërisht në pragun e mbylljes së javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve, me kremtimin tradicional të lutjes së Mbrëmësores që do të kryesohet nesër nga Papa Benedikti XVI, në Bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës. Në këtë takim e kremtim të rëndësishëm urate, do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Kishave të tjera të krishtera.
E Kisha mbarë do t’i lutemi Zotit për dhuratën e bashkimit të plotë të të gjithë dishepujve të Krishtit. E me të vërtetë, bashkimi i të krishterëve e bën më të besueshme dhe më të frytshme shpalljen e Ungjillit, siç pohoi vetë Jezusi duke iu lutur Atit Qiellor në pragun e vdekjes: “Që të gjithë të jenë një gjë e vetme… që bota të besojë”. Kisha pra, na fton të lutemi për bashkimin e të krishterëve dhe për të qenë bujarë me dhuratat që na bën Zoti, duke kujtuar se Hyji do që t’i shërbejmë, të bashkuar në fe.







All the contents on this site are copyrighted ©.