2012-01-24 14:49:00

Mesazh i Papës për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore: heshtja e fjala duhet të gjejnë ekuilibrin edhe në media, për ta lejuar Zotin t’i flasë zemrës së njeriut


Komunikimi i sotëm, i dominuar nga rrjetet digjitale, është në kërkim të përgjigjeve para një informacioni kaq të shumtë, sa shpesh sjell vetëm zhurmë e kaos. Prandaj, duhet rizbuluar vlera e heshtjes, për të cilën duhet krijuar një ambient i përshtatshëm, një lloj “ekosistemi”, për të vendosur në ekuilibër heshtjen e fjalët, figurën e tingujt. Kështu shkruan Papa Benedikti XVI në Mesazhin për Ditën e 46-të Botërore të Komunikimeve Shoqërore. Mesazhi u bë i njohur sot, gjatë një konference në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, por Dita do të kremtohet, si zakonisht, në maj. Sivjet, Benedikti XVI ka zgjedhur temën: “Heshtja e Fjala: udha e ungjillëzimit”. Në konferencën për shtyp, mori pjesë kreu i dikasterit vatikanas për komunikimet, imzot Klaudio Maria Çeli.
Komunikimi i sotëm, denoncon Ati i Shenjtë, sidomos ai i internetit, është në kërkim të përgjigjeve për pyetje, që nuk i bën askush, për nevoja, që nuk i interesojnë askujt, por ka harruar krejtësisht përballimin e çështjeve të rëndësishme e themelore. I vetëdijshëm për rëndësinë, që ka marrë interneti e rrjetet e ndryshme shoqërore në botën e sotme, Papa kritikon diskutimin e çfarëdolloj gjëje në këto forume, duke lënë mënjanë pyetjet jetësore për ekzistencën e njeriut e për qëllimin e fundëm të krejt veprimtarisë së tij, si: kush jam? çfarë mund të njoh? ç'duhet të bëj? në çfarë duhet të shpresoj?
“Është e rëndësishme – shpjegon Benedikti XVI në mesazh – t’i dëgjojmë njerëzit që bëjnë këto pyetje, duke u dhënë mundësinë e dialogimit, me fjalë, me konfrontim, por edhe me reflektim e heshtje, që, nganjëherë, mund të jetë shumë më e qartë se një përgjigje e pamenduar dhe i lejon atij, që bën pyetjen, të zhytet në thellësinë e vetvetes e t’ia hapë rrugën asaj përgjigjeje, që Zoti e ka shkruar në zemrën e njeriut”.
Prandaj, sugjeron Benedikti XVI, edhe mediat duhet të ndihmojnë në krijimin e një ambienti të përshtatshëm ku heshtja e fjala të jenë në ekuilibër. Ato, shpjegon më tej Ati i Shenjtë, janë “dy çaste të komunikimit, që duhet të ekuilibrohen, të ndjekin njëra-tjetrën e të integrohen për të arritur dialogun e vërtetë dhe afrimin e thellë ndërmjet personave”.
E nëse heshtja e fjala e përjashtojnë njëra-tjetrën, vëren Papa, “atëherë komunikimi dëmtohet, ose sepse shkakton një lloj trullosjeje, ose sepse, në të kundërtën, e ftoh njeriun, e largon; por kur ato integrohen reciprokisht, komunikimi merr vlerë e kuptim”. Heshtja, nënvizon Papa teolog, “është pjesë përbërëse e komunikimit e pa të, nuk ekzistojnë fjalë të mbushura me kuptim”. Vërtet, shkruhet në mesazh, “në heshtje, dëgjojmë e njohim më mirë vetveten; në heshtje, lind e thellohet mendimi; në heshtje, kuptojmë më qartë ç’duam të themi, ose ç’presim nga të tjerët; në heshtje, zgjedhim mënyrën e të shprehurit. Duke heshtur, i lejojmë tjetrit të flasë, të shprehet, dhe vetvetes, të mos mbetemi të lidhur, pa konfrontimin e duhur, vetëm me fjalët e idetë tona”.
Për Benediktin XVI, njerëzit duhet të mësohen ta respektojnë heshtjen, pasi kjo hap perspektivën e dëgjimit të ndërsjelltë, duke i bërë më të plota marrëdhëniet njerëzore. E kjo vlen edhe për mediat. Në heshtje, shpjegon Ati i Shenjtë, “kuptohen çastet më të vërteta të komunikimit ndërmjet atyre që duhen: gjesti, shprehja e fytyrës, shenjat e trupit… Në heshtje flasin gëzimi, shqetësimi, vuajtja, që në të gjejnë një formë shprehjeje, veçanërisht të thellë”.
Përveç kësaj, “heshtja është e çmuar për të favorizuar dallimin e nevojshëm ndërmjet kaq shumë stimujve e kaq shumë përgjigjeve që marrim, për të njohur e fokusuar pyetjet vërtet të rëndësishme”. Nga heshtja, “lind një komunikim edhe më kërkues, që përfshin atë ndjeshmëri dhe atë aftësi dëgjimi, të cilat shpesh zbulojnë masën dhe natyrën e lidhjeve njerëzore”. Si përfundim, për Papën Benedikti XVI, edukimi i njerëzve për komunikim do të thotë “ të mësosh si të dëgjosh, si të kundrosh, përveçse të flasësh”. Kjo, vëren Papa në fund të Mesazhit, është veçanërisht e rëndësishme për veprimtarët e ungjillëzimit: heshtja e fjala janë të dyja, elemente thelbësore e integruese të komunikimit të Kishës, për shpalljen e Ungjillit të Krishtit në botën bashkohore.








All the contents on this site are copyrighted ©.