2012-01-24 14:56:49

Me 24 janar kalendari përkujton shën Françeskun e Sales


Shën Françesku, dijetar i Kishës e ipeshkëv i Gjenevës, qe një ndër mësuesit e mëdhenj të spiritualitetit të shekujve të fundit. Lindi në Thorens të Savojës më 21 gusht të vitit 1567. Si u doktorua në Padovë, u shugurua meshtar e më pas u emërua ipeshkëv i Gjenevës. Është një ndër mësuesit e mëdhenj të jetës shpirtërore.
Shkroi shumë vepra asketike e qe ndër të parët që jetën shpirtërore dhe shenjtërinë i paraqiti si udhë të mundshme për të gjithë besimtarët e njerëzit vullnet mirë në të gjitha situatat e gjendjet e jetës: në familje, në shoqëri, në zyrë, në punë, në ushtrí, në katedra universitetesh e edhe në parmendë e në kosë.
Theksoi se vetëm dashuria e Zotit bën Shenjtorë. Në bashkëpunim me Gjovanë Françeskën Fremiët de Shantal themeloi Urdhrin e murgeshave klaustrale të Vizitacionit. U shqua për dituri të thellë e butësi të jashtëzakonshme, aq sa u quajt Shenjti i butësisë.
Me urtinë e tij baritore e ëmbëlsinë proverbiale, tërhoqi shumë kalvinistë të krishterë në radhët e Kishës katolike. Vdiq në Lion me 28 dhjetor 1622.







All the contents on this site are copyrighted ©.