2012-01-24 16:52:55

Komiteti i OKB-së kundër terrorizmit viziton Shqipërinë


Anëtarët e Komitetit të OKB-së Kundër Terrorizmit janë duke zhvilluar një vizitë vlerësuese treditore në Shqipëri, në kuadër të së cilës sot u takuan me Zv/kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto.
Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, gjatë këtij takimi, ky Komitet shprehu vlerësimet më të larta në lidhje me bashkëpunimin dhe procesin e raportimit të deritanishëm të Shqipërisë.
Çështja e respektimit të të drejtave të njeriut në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar ndërkombëtar mbetet një nga çështjet më delikate dhe në këtë drejtim, baza ligjore e hartuar nga vendi ynë në luftën kundër terrorizmit përbën një nga shembujt më të mirë mes vendeve anëtare të OKB-së të përkushtuara për eliminimin e terrorizmit.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Haxhinasto, e falënderoi Komitetin e OKB-së për vlerësimet mbi përpjekjen e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit, duke theksuar gjithashtu rëndësinë që ka kjo luftë për paqen dhe stabilitetin, jo vetëm në vend por edhe në rajon.
Në këtë kuadër, në ndjekje të rezolutave 1373 dhe 1624 të Këshillit të Sigurimit, Ministri shqiptar Haxhinasto e njohu komitetin e OKB-së edhe për përpjekjet e Shqipërisë për një koordinim më të mirë në nivel rajonal duke ravijëzuar luftën kundër terrorizmit dhe rritjen e efektivitetit të kësaj lufte.
Komiteti Kundër Terrorizmit i OKB-së do të zhvillojë takime në ditët në vijim dhe me institucione të tjera të linjës të përfshira direkt në zbatim të rezolutës 1373.







All the contents on this site are copyrighted ©.