2012-01-23 12:55:04

Më 23 janar kalendarin përkujton shën Emerencianën


Një autor i panjohur i shekullit V i shtoi përshkrimit mbi martirizimin e Shën Anjezes, një kapitull të tretë, në të cilin tregon si u kremtuan salikimet e shenjtores, si iu duk prindërve tetë ditë pas vdekjes e si u themelua bazilika për nder të saj nga Kostanca, bija e Kostandinit.
Ndërmjet besimtarëve që morën pjesë në salikimet e Shën Anjezes, kujtohet edhe Emerenciana, virgjër e katekumene. Në sa vijonin salikimet, një sulm i papritur i paganëve fanatikë i shpërndau të krishterët. Po Emerenciana jo vetëm që nuk iku, por nisi t’u bënte thirrje sulmuesve të hiqnin dorë nga urrejtja për të krishterët, duke përfunduar e mbytur me gurë. Prindërit e Shën Anjezes e varrosën trupin e saj në një nga pronat e tyre, fare pranë trupit të bijës së martirizuar. Kështu Shën Emerenciana, që ende nuk e kishte marrë Pagëzimin shenjt, u pagëzua me gjakun e vet, duke i hapur kështu udhën doktrinës së Pagëzimit të gjakut, sepse vdiq për mbrojtjen e drejtësisë e duke dëshmuar Zotin.
Në Martiriologun Jeronimian shkruhet se Emerenciana u varros në Varrezën e madhe të rrugës romake Nomentana, së bashku me një grup martirësh të tjerë, në krye të të cilit ishte Viktori. Duke qenë i lidhur ngusht me Shën Anjezen, emri i saj fitoi popullaritet të madh. Shenjë e qartë e këtij popullariteti është caktimi i përkujtimit të saj liturgjik më 23 janar, dy ditë pas festës së Shën Anjezes. Festa e saj u caktua që në shekullin VIII e u regjistrua menjëherë në Martiriologun e Bedës, në kodikët e vonë Jeronimianë dhe në Sakramentarin e Gjelazios, prej nga kaloi pastaj në Mesharin dhe në Martiriologun Romak.
Edhe në ikonografinë e Varrezës së madhe, Emerenciana paraqitet më shumë në mes të grupit të martirëve, pranë të cilëve ishte varrosur, por nuk mungojnë edhe ikonat e lashta në të cilat paraqitet vetëm ose ndërmjet Shën Paolinës dhe Shën Daries, virgjëra.
Mbi varrin e martires, menjëherë pas përfundimit të martirizimit të të krishterëve, u ngrit një kishë, që sipas Liber Pontificalis, u ndreq nga Adriani rreth viteve 772- 795. Në shekullin IX reliket e Shën Emerencianës u mbartën në bazilikën e Shën Anjezes. Papa Pali V porositi një arkëz artistike argjendi, në të cilën u mblodhën reliket e të dyja shenjtoreve, për t’u vendosur pastaj në elterin e madh.
Por kujtimi i martires është i gjallë edhe në kisha e bazilika të tjera, posaçërisht në Romë, duke nisur nga bazilika e Shën Anjezes në Sheshin romak Navona, ku në vitin 1123 iu kushtua një elter, për të kaluar më pas në bazilikën e Shën Pjetrit in Vinkoli, ku ruhet koka e saj, në Kishën e Shën Anjezes në Kampitel, ku ruhet një gisht e së fundi, tek famullia e madhe në zonën Nomentana, me emrin e Shën Emerencianës. Shenjtorja nderohet në të gjithë Evropën, posaçërisht në Spanjë, në Gjermani e në Belgjikë, ku ruhen edhe sot shumë kapela ngritur që në lashtësi për nder të Virgjërës që u pagëzua me gjakun e vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.