2012-01-23 17:45:43

Dublin 2012: Në Kongresin eukaristik, një ditë i kushtohet ekumenizmit.


Pjesëmarrja e madhe e kishave të krishtera të traditave të ndryshme, si në përgatitjen baritore, ashtu edhe në programin zyrtar, është një nga elementet unike të Kongresit të 50-të eukaristik ndërkombëtar, që do të mbahet në Dublin (10-17 qershor 2012). E nënvizon Komisioni organizator i ngjarjes. Në një notë, rimarrë nga Agjencia Sir, njoftohet se pikërisht fillimi i Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, u zgjodh si rast për shpalljen e programit ekumenik të Kongresit, një nga ditët më domethënëse të të cilit do të jetë ajo e 11 qershorit. Do t’i kushtohet krejtësisht kremtimit dhe reflektimit mbi marrëdhëniet e bashkimit, që i lidhin të krishterët, përmes Pagëzimit. Një nga sfidat më të mëdha për të krishterët e të gjitha traditave në shoqërinë e sotme - shpjegon atë Kevin Doran, sekretar i përgjithshëm i Kongresit - është ta dëshmojnë bashkërisht fenë në Krishtin. Data 11 qershor do t’i kushtohet “Liturgjisë së botës e të ujit” e do të kremtohet nga ipeshkvi anglikan i dioqezës së Dublinit, Majkëll Xhekson, ndërsa homelinë do ta mbajë peshkopi Hilarion Alfejev, metropolit i Kishës Ortodokse ruse. Në të njëjtën ditë, vëllai Alois, epror i Bashkësisë së Tezesë, do të mbajë katekizmin me temën e Pagëzimit. Programi parashikon edhe pjesëmarrjen e zërave të tjera ekumenike si dhe lutje të përbashkëta.







All the contents on this site are copyrighted ©.