Alarm i kardinalit Puljiç: në Bosnjë-Hercegovinë rritet fondamentalizmi islamik
Autoritetet e Bosnjë-Hercegovinës nuk reagojnë ndaj rritjes së radikalizmit islamik.
Alarmin e jep ipeshkvi më i rëndësishëm katolik i vendit, kardinali Vinko Puljiç,
kryeipeshkëv i Sarajevës. Gjatë vizitës në selinë e organizatës “Ndihmë për Kishën
që vuan” në Gjermani, prelati denoncoi se islamizimi i Bosnjë-Hercegovinës financohet
nga integralistët e Lindjes së Mesme. “Qendra islamike dhe xhami janë ndërtuar me
dollarët e naftës së Arabisë Saudite”, nënvizon kardinali në një intervistë në Kënigshtajn,
ku ndodhet selia e organizatës “Ndihmë për Kishën që vuan”. Sipas tij, vahabizmi,
ideologjia bazë e terrorizmit të Al Kaedës, po e rrit ndikimin e vet në shoqëri. Deri
tani, në Bosnjë numërohen 3000-5000 vahabitë. “Askush në qeveri nuk ka guxim të bëjë
diçka për ta ndaluar këtë fenomen”, denoncon kryeipeshkvi i Sarajevës. Sipas një
raporti të organizatës, me titull “Të persekutuar e të harruar?” mbi shtypjen e të
krishterëve, mëse 100 mijë të rinj myslimanë boshnjakë janë njohur e kanë pasur kontakte
me Islamin vahabit, përmes shoqatave të ndryshme. “Gjatë viteve të fundit – vazhdon
prelati – vetëm në Sarajevë janë ndërtuar 70 xhami të reja”. Arabia Saudite ka financuar
ndërtimin e xhamisë Husrev Begova në Sarajevë, duke eliminuar edhe mozaikët e brendshëm,
siç kërkon tradita vahabite. Një xhami tjetër, ajo e “Mbretit Fahd”, vendi më i madh
i kultit islamik në Bosnjë, përshkruhet në raport si “magnet” për tërheqjen e fondamentalistëve.
Ndërkaq, vazhdon analizën e tij të pamëshirshme kardinali Puljiç, për ndërtimin
e kishave nevojiten vite e vite vetëm për lejen, ndërsa pasuritë e Kishës, të sekuestruara
gjatë komunizmit, akoma nuk i janë kthyer pronarit të ligjshëm. Qeveria u ka kthyer
myslimanëve shumicën e pronave të tyre. Kryeipeshkvi kërkon barazi në trajtimin e
myslimanëve e të katolikëve në punë, në arsim e në sektorë të tjerë të jetës. Pavarësisht
nga këto probleme, kardinali sqaron se Kisha Katolike po kërkon bashkëpunim më të
madh ndërmjet grupeve të ndryshme etnike e fetare. Në kuadrin e këtij programi, katolikë,
myslimanë e ortodoksë serbë punojnë së bashku për nxitjen e tolerancës, të respektit
e të paqes. Në Bosnjë-Hercegovinë, myslimanët përbëjnë 40% të popullsisë, ortodoksët
serbë 31% dhe katolikët 10%. Nga 820 mijë katolikët, që jetonin në Bosnjë para luftës,
kanë mbetur 460 mijë dhe emigracioni i tyre vazhdon.