2012-01-22 09:56:43

Shenjtorët e javës 22 -29 janar 2012


Sot, në të dielën e tretë gjatë vitit kishtar, Kisha Katolike përkujton shën Vinçencin, diakon spanjoll e martir, shën Vinçenc Palotin, meshtar, themelues i Shoqërisë së Apostullimit Katolik dhe shën Anastasin, murg e martir. Dita e pestë e Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve na kujton se fuqia që del nga Jezusi shëron e jep jetë. Kush është me të, kush e prek, kush e takon e e mikpret, fiton nga Zoti jetën e pasosur.

Të hënën, më 23 janar, në kalendarin kishtar gjejmë festën e shën Emerencianës, martire romake dhe të shën Hildefonsit, ipeshkëv i Toledos. Duke pasur parasysh se akoma jemi në Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, kujtojmë se Zoti i thërret Kishat t’ia shpallin fjalën e tij botës, t’ia çojnë lajmin e mirë atyre që jetojnë në mjerim. Prandaj Kishat nuk mund të heshtin kur forcat e jashtme e pengojnë këtë mishërim të Fjalës në zemrat njerëzore.

Të martën, më 24 janar, kalendari liturgjik përkujton festën e shën Françeskut të Sales, ipeshkëv i Gjenevës dhe doktor i Kishës, themelues i Urdhrit të Vizitacionit, pajtor i shtypit katolik. Gjithnjë, në kuadrin e Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, duhet të mendojmë se sa më tepër t’i afrohemi Kryqit të Krishtit, aq më shumë i afrohemi edhe njëri-tjetrit. Krishti dha jetën për të gjithë. Jeta e Kishës duhet ta shprehë këtë unitet.

Të mërkurën, 25 janar, bie festa e Kthimit të shën Palit Apostull në fenë e Jezu Krishtit, që na kujton se Ai, Shpëtimtari i njerëzimit u ngjall, duke e shndërruar vdekjen në jetë. Po me 25 janar bie edhe dita e e fundit e Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve.

Të enjten e ardhshme, më 26 janar do të kremtohen shën Timoteu e shën Titi, ipeshkvij, nxënës të shën Palit si dhe shën Paola, matronë romake. Liturgjia e festës së tyre na kujton se Apostujve, të cilët duan të dalin mbi të tjerët, Jezusi u paraqet vetveten si model shërbimi.

Të premten, më 27 janar, sipas kalendarit liturgjik bie përkujtimi i shën Anxhela Meriçit, virgjër, themeluese e Orsolineve si dhe i shën Vitalianit papë. Në liturgjinë e ditës, Jezusi u kujton apustujve të vet se duhet të jenë gjithnjë shërbëtorë të përvuajtur të njerëzve.

Të shtunën e ardhshme, më 28 janar, kalendari Kishtar përkujton shën Tomën e Akuinit, meshtar dominikan, doktor i Kishës, pajtor i shkollave katolike. Ky teolog i madh i njëmijë e dyqindës dëshmoi me vepra se ndërmjet fesë së krishterë e arsyes ka harmoni të natyrshme.

Të dielën me 29 janar është e diela e katërt gjatë vitit kishtar, ciklit te dyte. Po më 29 janar kalendari do të perkujtojë edhe shën Kostancin, ipeshkëv i Perugjës dhe shenjtorët Papia e Mauri, ushtarë martirë. Na kujtojnë se Krishti kërkon edhe shëlbimin e paganëve e se Ai ngadhënjen mbi vdekjen e mbi të gjithë shpirtrat e ndyrë. Ngjallja e Jezusit hapi rrugën për t’ia predikuar Ungjillin mbarë njerëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.