2012-01-22 10:05:04

Atë F. Lombardi: Lidhja mes ungjillëzimit të ri e bashkimit të gjithë të krishterëve


Ç’lidhje ka ungjillëzimi i ri me bashkimin e gjithë të krishterëve? Në fillim të Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, me temë: “Të gjithë do të shndërrohemi nga fitorja e Jezu Krishtit, Zoti tonë”, edhe Papa Benedikti XVI reflektoi për këtë, gjatë audiencës së përgjithshme të ditës së mërkurë. Zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, ia kushton komentin e tij javor pikërisht kësaj çështjeje. Ta dëgjojmë:
“Ungjillëzimi i ri mund të japë fryte nëse të gjithë të krishterët e shpallin së bashku të vërtetën e Ungjillit të Jezu Krishtit dhe nëse i japin përgjigje të përbashkët etjes së kohëve tona”: kështu tha Papa gjatë audiencës së përgjithshme të 18 janarit, në fillim të Javës së Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve.
Edhe një herë, është e qartë se impenjimi ekumenik është thelbësor dhe i brendshëm për misionin e Kishës në botën e sotme dhe për drejtimet kryesore të papnisë. Tema e “ungjillëzimit të ri”, që na shoqëron drejt Sinodit të Ipeshkvijve të vjeshtës së ardhshme është në vetvete ekumenike, dhe “Viti i Fesë”, shpallur nga Papa, do të ketë një përmasë ekumenike edhe në nivelin universal, nënvizuar nga kremtime të veçanta, siç shpjegon Nota e fundit e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, duke kujtuar se “bashkimi i gjithë të krishterëve është një nga synimet kryesore të Koncilit II të Vatikanit”, 50-vjetorin e të cilit e festojmë sivjet.
Etja shpirtërore e kohës sonë kërkon një përgjigje të përbashkët, të besueshme e të frytshme, pavarësisht nga vështirësitë. Duke i folur delegacionit finlandez, Papa vërejti se “aktualisht, çështjet etike janë kthyer në pika divergjence ndërmjet të krishterëve”, por “marrëveshja e thellë ndërmjet tyre mbi çështjet antropologjike mund ta ndihmojë shoqërinë dhe politikanët të marrin vendime të urta e të drejta, përsa u përket temave të rëndësishme të sferës së jetës njerëzore, të familjes e të seksualitetit”. Me një fjalë, unitet për bashkimin në fe, unitet për shërbimin e njerëzimit në udhë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.